Padi penale ndaj ish-drejtorëve dhe komandantit të burgut, për “keqpërdorim të pozitës”

SPB Strumicë ngriti padi penale në Prokurorinë Themelore Publike të Strumicës kundër B.C. (41) nga Strumica, ish-drejtor i Burgut të Strumicës, V.M. (36) nga Strumica, ish-drejtor i përkohshëm i Burgut të Strumicës, dhe V.T. (42) nga Strumica, komandant i policisë së burgut në Burgun e Strumicës për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” sipas nenit 353 paragrafi 1, në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“I pandehuri B.C., në cilësinë e drejtorit të institucionit, dhe i pandehuri V.M., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të institucionit, duke abuzuar dhe përfituar nga pozicioni i tyre zyrtar, në disa raste kanë vepruar në kundërshtim me nenin 70 të Rregullores së Procedurës për të Dënuarit që Vujnë Dënime në Institucionin Ndëshkues, përkatësisht kanë lëshuar vendime që persona të caktuar të dënuar të përdorin përfitime të caktuara, pa zhvilluar një procedurë që, sipas rregullave, duhet të zhvillohet para nxjerrjes së vendimeve të tilla. Në këtë mënyrë, B.C. në tre raste lejoi një person të largohej nga institucioni për një kohë të shkurtër. I pandehuri V.M., në 32 raste lejoi shtatë persona të largoheshin nga institucioni për një kohë të shkurtër, dhe në dy raste lejoi dy persona të dënuar të shfrytëzonin lejen vjetore pa përmbushur kushtet e përcaktuara. Gjithashtu, V.M. lejoi që katër persona të caktoheshin nga një repart gjysmë i hapur në një repart të hapur në institucion pavarësisht faktit se ata nuk i plotësonin kushtet”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

I pandehuri V.T., komandant i Burgut të Strumicës, mori nga i pandehuri V.M. autorizim me shkrim për të kryer punë në fushën e risocializimit, pa poseduar arsimin e duhur për atë pozicion, dhe në të njëjtën kohë vazhdoi të drejtonte Policinë e Burgjeve, pra të kryente punë në dy pozicione të ndryshme që janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të përgjegjshme dhe të cilat janë të papajtueshme.