Netanyahu: Do t’i denoncoj udhëheqësit që njohin shtetin e Palestinës

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar ashpër liderët ndërkombëtarë që kanë njohur së fundmi një shtet palestinez, pak para nisjes së tij drejt Nju Jorkut, ku pritet të mbajë një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të premten.

“Do të them të vërtetën tonë, të qytetarëve izraelitë, të ushtarëve tanë, të kombit tonë,” deklaroi Netanyahu në aeroportin Ben-Gurion, përpara nisjes. Ai shtoi se do të denoncojë liderët që “në vend që të dënojnë vrasësit, përdhunuesit dhe ata që dogjën fëmijë të gjallë, duan t’u japin atyre një shtet në zemër të tokës së Izraelit”.

Këto deklarata vijnë ndërsa mbi Netanyahun rëndon një urdhër-arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, lëshuar në nëntor 2024, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.

Netanyahu e përsëriti se krijimi i një shteti palestinez “nuk do të ndodhë kurrë” dhe kritikoi valën e njohjeve të fundit, përfshirë ato nga Franca dhe Britania e Madhe, si një “dorëzim të turpshëm përballë terrorizmit palestinez”.

Netanyahu paralajmëron takim me Trump në Uashington

Gjatë deklaratës për shtyp, Netanyahu konfirmoi se do të takohet sërish me Donald Trump në Uashington – takimi i katërt mes tyre.

“Do të diskutojmë mbi mundësitë e reja që kanë sjellë fitoret tona, si dhe për qëllimet e luftës: rikthimin e pengjeve, shkatërrimin e Hamasit dhe zgjerimin e rrethit të paqes,” tha ai.

Sakaq, i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka njoftuar për një plan paqeje me 21 pika për Gazën dhe rajonin, prezantuar nga Trump në një takim me vende arabe dhe myslimane. Zyrtarët amerikanë shprehën shpresën për përparim në ditët në vijim.

“Trump dëshiron t’i japë fund sa më shpejt konfliktit,” deklaroi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për agjencinë AFP, duke shtuar se vendet pjesëmarrëse kanë shprehur gatishmëri për të punuar mbi këtë plan me të dërguarin Witkoff.

 

© SYRI.net