Limani: Do t’i ndërmarrim masat e nevojshme për eliminimin e të gjitha formave të dhunës

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, njëherësh edhe kryetar i Trupit koordinues kombëtar për zbatimin e konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, sot hapi seancën konstituive të këtij Trupi.

Siç njoftoi Ministria, Limani theksoi rëndësinë e këtij Trupi, përpjekjet e të cilit synojnë avancimin e mbrojtjes së grave viktima të dhunës dhe dhunës në familje.

Ai iu referua veprimeve të deritanishme të ndërmarra nga shteti, me qëllim përgatitjen më të mirë për parandalimin, për mbrojtjen dhe për pengimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si: ratifikimin e Konventës së Stambollit, pastaj përgatitjen e Planit të Veprimit për Zbatimin e Konventës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, v.2018-2023, dhe në v.2024, vlerësimin e të njëjtit.

Më tej, miratimi i Ligjit të Parandalimit dhe Mbrojtjes nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, i cili e thekson rolin e Trupit Koordinues Kombëtar me kompetenca konkrete, përgatitjen e Strategjisë Kombëtare tetëvjeçare, me katër plane veprimi vjetore dhe me plane vjetore.

“Gjatë periudhës së kaluar, si Ministri, ndërmorëm një sërë masash dhe aktivitetesh për përmirësimin e sistemit të parandalimit dhe të mbrojtjes së grave viktima të dhunës dhe dhunës në familje, përmes avancimit të legjislacionit kombëtar, të akteve nënligjore, të dokumenteve, përforcimin e kapaciteteve të profesionistëve përmes realizimit të trajnimeve, zgjerimit të rrjetit të shërbimeve të specializuara për viktimat dhe organizimit të fushatave. Ju siguroj se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut i konfirmon përpjekjet e saj për t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme mbi eliminimin e të gjitha formave të dhunës”, tha Limani.

Në seancë u prezantuan më hollësisht të gjitha dokumentet dhe aktivitetet, të cilat janë miratuar dhe realizuar, si dhe bashkëpunimi me palët ndërkombëtare dhe me shoqëritë civile.