Kurti udhëton për në Shtetet e Bashkuara për “takime dypalëshe me liderë”

Kosovo Prime Minister Albin Kurti speaks during an interview with The Associated Press in the capital Pristina, Friday, Sept. 29, 2023. Kosovo's prime minister on Friday welcomed a NATO decision to bolster its troops in the volatile Balkan region, saying last weekend's shootout that left four people dead illustrates Serbia's attempts to destabilize its former province with the help of ally Russia. (AP Photo/Visar Kryeziu)

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), njoftoi zyra e tij të enjten.

Kurti do të zhvillojë “takime dypalëshe me liderë në kuadër të javës së nivelit të lartë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.

Kryeministria nuk tregoi se kush janë liderët me të cilët do të mbajë takime dypalëshe Kurti.

Ajo tha se “përmes pjesëmarrjes në javën e nivelit të lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Kosova ofron për investitorë të huaj”.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Kurti gjithashtu do të takojë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës, sipas njoftimit.

Udhëtim i Kurtit në Nju Jork vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara pësuan një goditje në fillim të këtij muaji.

Uashingtoni njoftoi më 12 shtator për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, që tha se kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga Kurti kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht.

Kurti tha më vonë se Qeveria në detyrë ka “disa” dallime në qëndrime me SHBA-në, por nguli këmbë se raportet mes dy vendeve nuk janë prishur.

Ai tha se dallimet mes tij dhe Shteteve të Bashkuara “shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë”.

Ndërkohë, në Nju Jork këtë javë ndodhet edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila ka zhvilluar disa takime deri tani.

Të mërkurën, Osmani u takua me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me të cilin tha se pati bisedë “përmbajtësore”.

Ajo i vijoi takimet me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, të cilës ia përsëriti kërkesën e Kosovës për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së./REL