Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takim me Kaja Kallas

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet më të fundit në Republikën e Kosovës dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e integrimit evropian të vendit.

Presidentja Osmani ritheksoi se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian mbetet ndër prioritetet më të larta shtetërore.

Ajo shprehu shqetësimin për masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës, të cilat i cilësoi si të padrejta dhe të dëmshme për të gjithë qytetarët, pa përjashtim.

Presidentja theksoi domosdoshmërinë e heqjes së këtyre masave, në mënyrë që të mos cenohet partneriteti ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

“Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani, konfirmoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë.