Borrell: Nuk mjaftojnë vetëm njohjet për Palestinën, duhen sanksione ndaj qeverisë izraelite

“Nuk ka rëndësi vetëm numri i vendeve të reja, dymbëdhjetë, që tani e njohin Shtetin e Palestinës, por fakti që janë vende perëndimore, pra tradicionalisht mbështetëse të Izraelit, si Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja”, thotë Josep Borrell, 78 vjeç, dhjetë muaj pasi ka lënë postin si përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme. Dje ishte në Trento për një leksion mbi politikën dhe diplomacinë në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare.

A është kjo një lëvizje simbolike apo do të ketë pasoja konkrete?
Deri tani, fakti që shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë njohur Palestinën nuk ka prodhuar asnjë efekt. Duhet parë nëse konferenca e Nju Jorkut për njohjen e Palestinës do të përkthehet në një rrugë konkrete drejt paqes. Një gjë është e sigurt: njohja pa veprim mbetet një frazë bosh.

Për çfarë lloj veprimesh bëhet fjalë?
Duhet të vendosen sanksione kundër Netanyahu-t dhe qeverisë së Izraelit, pikërisht siç vepruam me Afrikën e Jugut, kur ishte në fuqi aparteidi. Vetëm fjalët e bukura nuk mjaftojnë.

Nëse populli palestinez e meriton të ketë një shtet – dhe sigurisht që e meriton – pse vendet e G7-s kanë vepruar vetëm pas tmerrit në Gaza? A nuk ka hipokrizi në këto njohje?
Po, mund të interpretohet edhe kështu. Disa vende evropiane, prsh Franca, gjithmonë ka hezituar dhe ka qenë e lëkundur. Është e mundur gjithashtu që katastrofa humanitare që po shohim t’i ketë detyruar qeveritë të veprojnë, të shtyra nga opinioni publik në vendet e tyre. Është tragjike të mendosh se njohja vjen me çmimin e vuajtjes së popullit palestinez.

Pse Gjermania dhe Italia janë hezituese?

Në përgjithësi, e djathta dhe e djathta ekstreme në Evropë, si dhe vendet joliberale dhe autoritare, janë pa kushte pro-Izraelit, mjafton të shohësh Hungarinë. E majta priret të jetë më shumë në mbështetje të palestinezëve, për arsye solidariteti dhe humaniteti. Gjermania është një rast i veçantë: si socialdemokratët, ashtu edhe kristiandemokratët kanë qenë gjithmonë në mbështetje të Izraelit, për ndjenjën e fajit për Holokaustin. Por gjërat po ndryshojnë, brenda SPD-së ka nga ata që kritikojnë rolin që ish-kancelari Scholz ka luajtur në legjislaturën e kaluar. Përsa i përket Italisë, arsyeja është ajo që thashë më parë.

Gjatë mandatit tuaj në Bruksel, pse nuk punuat për njohjen e Palestinës?

Njohja e Palestinës është një çështje kombëtare.

Kaja Kallas, që mori postin tuaj si përfaqësuese e politikës së jashtme evropiane, tha se ju nuk keni bërë asgjë për të ndalur masakrën në Gaza…

Kur merr një detyrë kaq të ndërlikuar, është rregull të mos kritikosh as paraardhësin dhe as pasardhësin. Historia do të na gjykojë të gjithëve, nuk kam ndërmend të hyj në këtë polemikë.

A ka ndryshuar qëndrim presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, ndaj Izraelit?

Nuk më duket. Von der Leyen gjithmonë ka treguar mbështetje të pakushtëzuar për Izraelin, si një kristiandemokrate gjermane, e lindur pas luftës. E kam dëgjuar të mbështesë shtetin izraelit, në mënyrë edhe të hapur. ‘Më në fund populli hebre ka arritur tokën e premtuar, ka lulëzuar shkretëtira’. E premtuar nga kush? Le të shohim pak nëse institucionet evropiane po ndjekin premtimet e Biblës. Kam punuar në një kibuc dhe sigurisht që kolonët izraelitë e punojnë tokën shumë mirë, por ajo tokë nuk ishte shkretëtirë, aty jetonin njerëz. Ideja që i kemi dhënë ‘një populli pa tokë, një tokë, por pa popull’ është një nga gënjeshtrat më të mëdha të Perëndimit.

Megjithatë, Von der Leyen ka propozuar pezullimin e pjesshëm të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, në kapitullin mbi shkëmbimet tregtare. A nuk është kjo një masë konkrete?

Spanja dhe Irlanda e kishin kërkuar këtë që në shkurt 2024. Në atë moment kishin vdekur 25 mijë njerëz në Gaza. Tani që presidentja e Komisionit propozon të njëjtin pezullim, edhe pse vetëm pjesërisht, të vdekurit janë 65 mijë njerëz. Një vonesë që ka kushtuar 40 mijë jetë. Dhe pesha ekonomike e kësaj mase për Izraelin është vetëm 220 milionë euro në vit – Netanyahu nuk ka përse të trembet. Pyes veten: Do të duhen edhe 40 mijë të vdekur të tjerë për të pezulluar tërësisht marrëveshjen?

A është njohja e Shtetit të Palestinës një favor për Hamasin, siç thotë kryeministri i Izraelit?

Përgjigjja tipike e Netanyahu-t: kushdo që e kritikon është antisemit apo mbështetës i terrorizmit. Netanyahu është i akuzuar për krime të rënda lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare – duhet të fillojmë ta shohim në këtë këndvështrim.