Përplasja mes modeles dhe autores Angela Martini dhe biznesmenit Fatmir Hysenbelliu ka marrë përmasa të mëdha gjatë ditës së sotme, duke u shndërruar në një nga temat më të diskutuara në rrjetet sociale dhe mediat shqiptare. Akuza të rënda janë shkëmbyer mes tyre, ndërsa palët kanë reaguar me story të njëpasnjëshme në Instagram.
Angela Martini publikoi disa reagime ku deklaroi se tashmë “dosjet janë në SPAK” dhe se shpejt gjithçka do të zbardhet. Ajo shprehet se nuk është e vetmja që ka folur, pasi pas daljes së saj publike është përmbytur nga mesazhe të grave që pretendojnë se kanë përjetuar situata të rënda me të njëjtin individ.
Martini e cilëson këtë çështje si një mision të ri personal: të japë zë jo vetëm historisë së saj, por të gjitha vajzave dhe grave që pretendojnë se janë dëmtuar apo abuzuar. Ajo i bën thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të ndajnë historitë e tyre dhe të mos heshtin, duke kërkuar “një revolucion kundër njerëzve që abuzojnë me pushtetin dhe influencën e tyre”.
Nga ana tjetër, Fatmir Hysenbelliu i është përgjigjur ashpër akuzave. Ai publikoi mesazhe ku thekson se gjithçka që po shpërndahet është shpifje dhe se për këtë do të merren avokatët e tij.
“Për burg e di mirë ti kush është ai që e arrestojnë çdo vit në çdo vend të botës! Kujdes, sepse edhe për shpifje përfundon në burg. Nga ky moment do të merren avokatët e mi”, shkruan Hysenbelliu në një reagim publik, duke paralajmëruar veprime ligjore.