
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan, Donald Trump do të targetojë “institucionet globaliste” dhe do të diskutojë “vizionin e tij për botën” në fjalimin e tij të parë që nga viti 2020, para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të martën.
Fjalimi i tij pritet të fillojë rreth orës 15:50 me kohë të Kosovës, në ditën e parë zyrtare të debatit të përgjithshëm vjetor të Asamblesë së liderëve botërorë, raporton BBC.
Presidenti amerikan do të flasë i dyti, pas presidentit Lula të Brazilit, si pjesë e një tradite të gjatë.
Udhëheqës të tjerë do të flasin dhe do të zhvillojnë takime gjatë gjithë javës.
Trumpi do të mbajë një fjalim “duke lavdëruar ripërtëritjen e forcës amerikane në të gjithë botën”, sipas sekretares së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Ai gjithashtu do të mbulojë “arritjet e tij historike në vetëm tetë muaj, duke përfshirë përfundimin e shtatë luftërave dhe konflikteve globale”, ka thënë Leavitt në një deklaratë të hënën.
“Presidenti do të përmend gjithashtu se si institucionet globaliste e kanë shkatërruar ndjeshëm rendin botëror dhe do të artikulojë vizionin e tij të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv për botën”, ka shtuar ajo.
Zyrtarët britanikë kanë frikë se presidenti amerikan, Donald Trump, mund ta njohë kontrollin izraelit mbi vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor, në hakmarrje për vendimin e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe të tjerëve për të njohur Palestinën.
Zyrtarë të brendshëm në qeverinë britanike besojnë se presidenti amerikan po shqyrton njohjen zyrtare të komuniteteve izraelite atje, duke i dhënë, siç ka thënë, një goditje serioze perspektivës për një zgjidhje me dy shtete.
Disa besojnë se Trumpi mund ta ngrejë këtë perspektivë në fjalimin e tij në OKB të martën, pavarësisht se udhëheqësit arabë dhe perëndimorë janë angazhuar në një diplomaci intensive për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë.
Zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar kanë thënë për The Guardian, se disa nga aleatët e presidentit po ushtronin presion mbi të për të njohur vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor teksa udhëheqësit arabë po kundërshtojnë një gjë të tillë.
“Si gjithmonë me këtë president, është e vështirë të dihet se cilën rrugë do të ndjekë, por ne jemi të shqetësuar për atë që mund të ndodhë”, ka thënë njëri nga zyrtarët.
Një numër vendesh kanë njohur shtetësinë palestineze ditët e fundit, pak para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Administrata Trump e ka quajtur “performues” këtë veprim.