Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, në paraqitjen e tij në emisionin Debat21, ka deklaruar se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, do të përjetojë një “katastrofë elektorale” në zgjedhjet e ardhshme.
“Unë mendoj se duhet të ulem me zotëri Ahmetin për shkak se pas zgjedhjeve ai do të jetë më i bindur drejt ides sime, për shkak se do të pësojë katastrofë elektorale. Njerëzit kur humbin janë më të gatshëm që të jenë më të logjikshëm, kur fitojnë shumë ata janë euforik”, tha Thaçi.
Ai shtoi se pas humbjes Ahmeti do të ketë më shumë prirje për të pranuar idetë e tij politike dhe për të hyrë në një diskutim më racional.
Nga ana tjetër, Thaçi paralajmëroi se në daljen e ardhshme publike do të zbulojë detaje konkrete për mënyrën se si, sipas tij, Fronti Europian ka kërkuar mbështetje nga VMRO-DPMNE-ja dhe kryeministri Hristijan Mickoski.
“Nëse ata hapin gojën edhe një fjalë, në paraqitjen tjetër publike do të tregojë sa herë e kanë lutur Mickoskin, me emra e mbiemra, biznesmenë prej Shkupi, njerëz prej Shqipërie, sa janë përkulur, si kanë pranuar që të hyjnë në Qeveri edhe pa kryetar të Parlamentit, kush ka qenë, si ka qenë”, tha Thaçi.
Deklaratat e tij pritet të ndezin më tej debatet politike mes subjekteve shqiptare në prag të zgjedhjeve lokale.