John Duncan ka thënë se gjatë kohës sa kanë shërbyer në Kosovë nuk kanë parë ndonjë komunikatë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ku përmendeshin ekzekutime apo likuidime ndaj kolaboracionistëve.
“Nuk kam parë diçka të përmendeshin të kësaj natyre ku përmendeshin ekzekutime apo likuidime të kolaboracionistëve apo tradhtarëve të kombit”, tha dëshmitari.
Kjo përgjigje e dëshmitarit erdhi pas pyetjeve të prokurorit Matt Halling, i cili e filloi këtë proces pas përfundimit të pyetjeve nga ana e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.
Ndërsa, për komunikatat e tjera që pretohet se janë lëshuar nga UÇK-ja, dëshmitari Duncan tha se i ka parë shumë prej tyre.
“I kam parë, por jo gjithmonë. Por, kam parë shumë shpesh. M’i raportonin GDOM-i, Kryqi i Kuq ndërkombëtar, ndonjëherë i shihja në shtyp”, tha ai.
Dëshmitari foli edhe për tematikën e komunikatave që ai i ka parë gjatë kohës sa ka qenë në Kosovë.
Si rrjedhojë, Duncanit iu prezantua një komunikatë që pretendohet se është e UÇK-së dhe mban numrin 28. Sipas prokurorit, kjo komunikatë ishte lëshuar më 16 janar 1997, e cila thoshte që më 26 dhjetor 1996 dhe 9 janar 1997 në zonën operative 1, njësitet e UÇK-së kryen dy vrasje kundër dy kolaboracionistëve të pushtuesve serbë në Kosovë. Sipas kësaj komunikate, vendimi për ekzekutimin e këtyre dy personave u mor nga Shtabi Qendror i UÇK-së pasi ishin paralajmëruar më herët që të hiqnin dorë nga bashkëpunimi me pushtuesin.
Dëshmitari tha se kjo komunikatë është nxjerrë më parapara se ai të shkonte në Kosovë. Mohoi se ka parë ndonjëherë rregullore të brendshme të funksionimit të UÇK-së.
Përveç kësaj, ai tha se ka parë vetëm dokumentin e emërimit të Agim Çekut në pozitën e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai tha se nuk i kujtohet se kush e ka lëshuar atë vendim./Betimi për Drejtësi