Fund i turpshëm i Kim dhe mashtrimi për nderime nga mediat e Ramës: Ceremonia e largimit u bë nga një OJQ private

Ish-ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë në vitet 2019-2023 është përzënë nga Departamenti i Shtetit si diplomate e shërbimit të jashtëm. Yuri Kim, e njohur si diplomatja që nuk luajti rolin e saj në Shqipëri, por të një ministreje të Edi Ramës ka pranuar “ofertën” e daljes në pension 53 vjeç në të kundërt do t’i nënshtrohej një hetimi të thelluar nga administrata e Trump, përfundimi i të cilit merret me mend.

E ndërsa ajo “flaket” nga DASH si një shërbëtore e Sorosit dhe jo diplomate e SHBA-ve, mediat e rilindjes në Tiranë janë munduar të spinojnë lajmin si përcjellje me nderime të saj nga DASH.

Yuri Kim e ka njoftuar vendimin se zgjodhi të ikë me turp nga shërbimi dhe t’i shpëtojë hetimit përmes një ceremonie me miq e shokë të saj, ku mes tyre spikatnin ish-kolegu i saj Arvizu, Ervin Bushati, disa gazetarë dhe familjarë të saj.

Ceremonia e pensionimit të Yuri Kim nuk është organizuar nga Departamenti i Shtetit, siç është tradita për diplomatët që e mbyllin me nder (“with honor”) karrierën, ku u dorëzohet edhe flamuri amerikan, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për shërbimin ndaj vendit. Kjo ceremoni është simboli më i lartë i respektit të shtetit amerikan për diplomatët e tij, dhe mungesa e saj flet shumë.

Në të gjitha mediat e sponsorizuara nga Edi Rama në Tiranë është treguaj një kujdes, trashanik për stilin gazetaresk, për ta dhënë lajmin me pompozitet kinse Yuri Kim doli në pension me të gjitha nderimet nga Departamenti i Shtetit dhe u përcoll me nderime. Gjë që nuk është aspak e vërtetë.

Ceremonia e përcjelljes në pension të ish-ambasadores amerikane tejet të përfolur në Tiranë, është zhvilluar nga DACOR, një OJQ ish-diplomatësh të shërbimit konsullor të SHBA. DACOR në kontekstin që lidhet me Departamentin e Shtetit të SHBA-së nuk është një akronim i përdorur nga vetë Departamenti, por i referohet organizatës DACOR, Inc. që do të thotë “Diplomatic and Consular Officers, Retired”.

Pra, është një organizatë joqeveritare që bashkon ish-diplomatë dhe ish-punonjës konsullorë të SHBA-së, pasi dalin në pension. Shtëpia e tyre (DACOR Bacon House) është një vend historik në Washington DC që përdoret për takime, diskutime, aktivitetet kulturore dhe edukative lidhur me punë diplomatike. Pikërisht kjo e bën të qartë se ceremonia e Kim nuk ka qenë zyrtare dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me traditën e nderimeve të Departamentit të Shtetit.

Mospërcjellja nga Departamenti i Shtetit me nderimet që i takojnë një diplomati, e për më tepër një ambasadori, flet shumë për reputacionin e Yuri Kim në shërbimin e jashtëm të SHBA. Ambasadorë të tjerë amerikanë që kanë punuar në Shqipëri, por edhe në vende të rajonit janë përcjellë zyrtarisht me nderime dhe flamur, ndërsa në rastin e Kim kjo mungesë është një mesazh i qartë.

Duket se mosprofesionalizmi si asnjë ambasador USA më parë, dhe ekspozimi dhe përfshirja e saj në politikën e ditës në krah të qeverisë në Shqipëri, kanë shtuar “faturën” e Kim, aq sa ta largojnë nga puna me “zero” vlerësim e falënderim.

Yuri Kim nuk është ambasadori i parë amerikan që largohet në këtë mënyrë nga Departamenti i Shtetit, pas shërbimit në Shqipëri. Kolegu i saj Aleksandër Arvizu, i vetmi prezent në ceremoninë e Kim, gjithashtu u ankua se e përcollën nga zyrat e Departamentit të Shtetit pa ceremoni e vlerësim mirënjohjeje. Rasti i përsëritur tregon se Shqipëria është kthyer në një “njollë” për CV-në diplomatike të ambasadorëve amerikanë.

Të dy mbahen mend për sjellje dhe veprime apo thënie kontraverse, të palejueshme për një diplomat. Arvizu, kur krahasoi fitoren e Edi Ramës në 2013 me fitoren e demokracisë në vitin 1992, apo tek pozonte me shall pionieri në qafë në ceremonitë e PS. Ndërsa Yuri Kim për shprehjen fyese drejtuar shqiptarëve se nëse përkrahin Sali Berishën, do të hanin bar.

Po si përcillet një ambasador që pensionohet vërtetë “me nderime” – pratika dhe protokolli

1. Çmimet dhe dekorimet zyrtare Departamenti i Shtetit shpesh i jep një diplomat në pension çmime ose dekorata që nderojnë shërbimin e tij/saj. Për shembull, punonjësit që dalin në pension mund të marrin “The Secretary’s Career Achievement Award” ose “The Department of State Career Flag Award”.

2. Flamuri amerikan dhe prezentimi i tij Një praktikë që përdoret shpesh është që flamuri amerikan (apo një flamur që është valëvitur në Departamentin e Shtetit) t’i dorëzohet diplomatit që largohet, shpesh në një kuti transparente (“lucite display case”). Kjo simbolizon mirënjohjen zyrtare për shërbimin e diplomatit/es ndaj SHBA.

3. Certifikata ose dokumente me mirënjohje Diplomati që largohet shpesh merr një certifikatë ose një dokument falënderimi, të firmosur nga zyrtarë të lartë (p.sh. nga Drejtorë të Departamentit të Shtetit, ose Sekretari i Shtetit). Këto dokumente shpesh përmbajnë citate që përmbledhin arritjet dhe shërbimin e personit.

4. Ceremoni ose pritje zyrtare Shpesh, ceremonia është zyrtare — në selinë e Departamentit të Shtetit ose ambasadës — me fjalime, prani të zyrtarëve të lartë, ndonjëherë edhe mediat zyrtare amerikane. Flamuri dhe dekoratat jepen në këtë ambient, pa dyshim me solemnitetin që i takon një diplomati që largohet me nder.
5. Publikimi zyrtar dhe njohja ndërkombëtare Këto ceremoni shpesh dokumentohen zyrtarisht — në faqet e Departamentit të Shtetit, media amerikane, ose profile diplomatike. Kjo shërben si referencë publike që i jep “besueshmëri” mirënjohjes.

Krahasim me rastin e Yuri Kim

– Në rastin e saj, nuk ka asnjë organizim nga Departamenti i Shtetit me ceremoninë e dorëzimit të flamurit amerikan ose të jetë lëshuar dokument ose dekorata zyrtare në emër të saj.

– Aktiviteti ishte organizuar nga DACOR (organizatë private për ish-diplomatë), që nuk është praktikë zyrtare qeveritare e Departamentit të Shtetit.

– Mungon elementi i ceremonisë zyrtare me prani të zyrtarëve të Shtetit dhe njoftimi publik zyrtar që dokumenton mirënjohjen institucionale.