Portugalia i është bashkuar Australisë, Kanadasë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar për njohjen e shtetit palestinez.
Ministria e Jashtme Portugeze njoftoi se njohja do të bëhet të dielën. Ajo do të ndodhë një ditë para një konference të nivelit të lartë për shtetësinë palestineze në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Ministria e Jashtme konfirmon se Portugalia do të njohë Shtetin e Palestinës. Deklarata zyrtare e njohjes do të bëhet të dielën, më 21 shtator, përpara konferencës së nivelit të lartë javën e ardhshme”, shkruhet në deklaratën e ministrisë në faqen e saj zyrtare.
Sipas gazetës portugeze Correio da Manha, kryeministri i qendrës së djathtë, Luis Montenegro, është konsultuar me presidentin dhe parlamentin përpara se të merrte vendimin përfundimtar.
Kjo shënon fundin e një debati gati 15-vjeçar në parlamentin e këtij vendi të Evropës Perëndimore, raportoi Correio da Manha, pasi propozimi u paraqit për herë të parë nga partia politike “Blloku i Majtë” në vitin 2011, shkruan reuters.
Shpallja e Portugalisë vjen disa ditë pasi një hetim i rëndësishëm i OKB-së konstatoi se lufta izraelite në Gaza përbën gjenocid.
Të paktën 65.141 persona janë vrarë dhe 165.925 janë plagosur që nga fillimi i ofensivës izraelite në tetor të vitit 2023. Mendohet se mijëra të tjerë janë ende nën rrënoja.
Qeveria portugeze për herë të parë në muajin korrik kishte bërë të ditur synimet e saja për të njohur Palestinën si shtet, duke përmendur “zhvillimin jashtëzakonisht shqetësues të konfliktit”, krizën humanitare si dhe kërcënimet e përsëritura nga Izraeli për të aneksuar tokën palestineze.
Më herët të premten, një këshilltar i presidentit francez, Emmanuel Macron tha se Andorra, Australia, Belgjika, Luksemburgu, Malta dhe San Marino planifikojnë të njohin Shtetin e Palestinës së bashku me Francën në një takim të nivelit të lartë që organizohet bashkërisht me Arabinë Saudite në New York të hënën.
Portugalia ishte gjithashtu ndër 145 shtetet që të premten votuan në favor të mundësisë që presidenti palestinez, Mahmoud Abbas t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme në New York përmes një video-mesazhi, pasi Shtetet e Bashkuara ia refuzuan vizën.
Nauru, Palau, Paraguai, si dhe Izraeli dhe SHBA-të ishin pesë vendet që votuan kundër, ndërsa gjashtë vende abstenuan.
Izraeli dhe SHBA kanë kritikuar ashpër vendet që po përpiqen të njohin Palestinën, dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e përshkroi njoftimin francez si një “vendim të pamatur” që “i shërben vetëm propagandës së Hamasit”.