Qeveria me demant: LSDM përsëri përhap gënjeshtra, pagesa për 400 zjarrfikës është në proces

Qeveria ka akuzuar LSDM-në për keqpërdorim të hapësirës mediatike dhe përhapje të gënjeshtrave lidhur me masën për 400 zjarrfikës. Sipas Qeverisë, kjo është një masë e planifikuar dhe e financuar paraprakisht për mbrojtjen nga zjarret dhe nuk lidhet me zgjedhjet lokale. Ata theksojnë se procesi i pagesës është në zhvillim dhe po bëhet me transparencë. Në të kundërt, akuzojnë LSDM-në për manipulim të opinionit dhe pengim të punës institucionale me sulme të pabaza.

“LSD vazhdon ta keqpërdorë kohën e vet mediatike për të manipuluar me faktet dhe për të përhapur gënjeshtra, masa për 400 zjarrfikës është edhe një sulm në vargun e sulmeve politike të paskrupullta. Në vend që t’i përkushtohen të vërtetës, ata përsëri përpiqen të krijojnë kaos dhe të manipulojnë opinionin me informacione të pasakta.

Faktet janë të thjeshta dhe të pakundërshtueshme, kjo është hera e parë në historinë e shtetit tonë që zbatohet një masë punësimi e cila shfrytëzon plotësisht resurset e disponueshme, me qëllim që të mbrohen qytetarët nga fatkeqësitë natyrore dhe të përmirësohet mjedisi jetësor.

Sa i përket pagesës së pjesëmarrësve për këtë masë e cila është e parashikuar si 6.2 në planin operativ dhe është e dedikuar për mbrojtje nga zjarret, absolutisht nuk ka asnjë lidhje ndërmjet shpalljes së zgjedhjeve lokale dhe pagesës së mjeteve, për arsye se mjetet janë siguruar dhe nuk bëhet fjalë për asnjë pagesë të jashtëzakonshme! Për personat që janë të përfshirë në këtë masë ju informojmë se ata janë angazhuar më datë 08.08.2025, dokumentacioni (raporti i rregullsisë) për pagesë nga ana e organizatorit është tashmë në proces dhe do t’u dërgohet Qendrave për punësim pas së cilës do të vijojë edhe pagesa.

Ndryshe nga LSD, ne punojmë me llogaridhënie dhe transparencë.

Puna jonë vazhdon të jetë e fokusuar në interes të qytetarëve, ndërsa ata mbesin të ngujuar në manipulime dhe trillime. Ne jemi këtu për të sjellë zgjidhje konkrete, ndërsa opozita do të vazhdojë të gënjejë dhe të përpiqet të prishë qetësinë publike me histori të pavërteta. Nuk u lejojmë të fshehin të vërtetën dhe të gjitha përpjekjet për sabotime politike nuk do ta errësojnë përkushtimin e kësaj Qeverie që të punojë për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, sepse faktet nuk rrëzohen me gënjeshtra”, thonë nga Qeveria.