Aliu: Në Neurokirurgji për herë të parë është aplikuar videoangiografia fluorescente intraoperative gjatë trajtimit kirurgjik të aneurizmave në tru

Në Klinikën Universitare për Neurokirurgji është kryer një ndërhyrje komplekse mikro-kirurgjikale tek një pacient 57-vjeçar me aneurizëm të çarë në një arterie të trurit, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Bëhet fjalë për një operacion që për herë të parë në Maqedoni është realizuar me përdorimin e videoangiografisë fluorescente intraoperative. Kjo risi është një hap i rëndësishëm përpara në modernizimin e sistemit shëndetësor në RMV. Përdorimi i kësaj metode rrit sigurinë e pacientëve dhe përmirëson efikasitetin e ndërhyrjeve kirurgjikale”, tha ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Kjo metodë inovative përfaqëson një teknikë të avancuar që mundëson vizualizimin e rrjedhës së gjakut në kohë reale gjatë operacionit.
Me përdorimin e një substance kontrasti, kirurgët mund të vlerësojnë saktësisht kalueshmërinë e enëve të gjakut dhe të konfirmojnë izolimin e plotë të aneurizmës, gjë që është vendimtare për suksesin e operacionit – shpjegon specialisti neurokirurg dhe udhëheqës i ekipit dr. Blagoj Shuntov.

Ekipi kirurgjik përbëhej nga: Dr. Blagoj Shuntov; Asistentë: Dr. Mirko Mishel Mirçevski, Dr. Vllatko Atanasov; Ekipi anesteziologjik: Dr. Sanja Gjurçeska, Dr. Radmilla Pangovska, ms Irena Stojanova, ms Gordana Mickovska, ms Daniela Delova; Infermieret instrumentare: ms Maja Spirovska, ms Natasha Mirçevska.

Operacioni u realizua pa komplikime, dhe pacienti po rikuperohet pa vështirësi. Përdorimi i kësaj teknike të avancuar paraqet një përparim të madh në trajtimin e pacientëve neurokirurgjikë, si dhe konfirmon përkushtimin e Klinikës për Neurokirurgji në zbatimin e teknologjive më të reja mjekësore.

“Kjo risi përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në modernizimin e shëndetësisë në RMV dhe konfirmon angazhimin e institucioneve shëndetësore në aplikimin e teknologjive më bashkëkohore në praktikën mjekësore”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.