Fatos Klosi thotë se është ftuar si dëshmitar nga mbrojtja në Hagë

Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Shtetit, Fatos Klosi, ka deklaruar se është thirrur si dëshmitar në Gjykatën e Hagës për të dëshmuar në mbrojtje të UÇK-së.

Klosi tha të enjten në një deklaratë në emisionin “Shqip” në “DritareTV” se shumë dëshmitarë nuk po akuzojnë drejtpërdrejt komandantët e UÇK-së dhe se mungesa e provave konkrete ka zgjatur procesin.

“Dëshmitarët që janë thirrur në Hagë nuk po përmendin emrat e ish-krerëve të UÇK-së, sepse nuk kanë qenë asgjëkundi në skenë. Edhe nëse kanë bërë ndonjë hile, ose krim, nuk e kanë bërë në sy të dëshmitarëve. Pra, ata nuk po i akuzojnë për gjëra konkrete, por sepse kishin një ushtri dhe nuk ishin në gjendje ta kontrollonin. Ata nuk kanë prova konkrete për komandantët. Ndaj po zgjatet tani procesi. Fakti që po i mbajnë në paraburgim për kaq shumë kohë duket sikur duan t’i shpallin fajtorë, por vështirë të ndodhë”.

“Mua më ka kërkuar mbrojtja si dëshmitar në Hagë. Do të shkoj, por unë nuk kam qenë në Kosovë asokohe, sepse pjesa më e madhe e problemeve janë pasi kanë hyrë ushtritë aleatë në Kosovë, kur UÇK-ja nuk ishte më operative”, u shpreh Klosi në këtë intervistë, transmeton “Nacionale”.

Klosi shtoi se roli i komandantëve politikë të UÇK-së shpesh keqkuptohet, pasi ata nuk kanë vepruar drejtpërdrejt në terren, por kanë organizuar ushtrinë, gjë që ka vështirësuar gjykimin dhe proceset gjyqësore.

“Hashim Thaçi nuk ka qenë kurrë komandant operativ në terren. Ai ka pasur një rol politik dhe ka bashkëpunuar me shtetet e tjera, por nuk i ka komanduar drejtpërdrejt njësitë”.

Megjithatë, Thaçi është akuzuar për krime lufte për shkak të rolit të tij në ndërtimin e ushtrisë së organizuar të UÇK-së.

“Problemi i ka ardhur nga fakti që akuzoheshin të gjithë për krime që lidhen me luftën, duke e ngatërruar rolin e komandantëve politikë me atë të ushtarakëve në terren. Ata nuk kanë kryer krime në mënyrë direkte, por janë akuzuar për faktin që kishin ndërtuar një ushtri të organizuar”, tha Klosi. /Nacionale