Ministria e Punëve të Brendshme njofton se janë ngritur kallëzime penale kundër 11 personave nga Kumanova, mes tyre edhe të punësuar në MPB dhe në stacione të kontrollit teknik. Sipas MPB-së, gjatë vitit 2024 ata kanë regjistruar automjete me targa të huaja në sistemin shtetëror pa paguar detyrimet doganore, taksat dhe tarifat e tjera. Përmes dokumenteve të falsifikuara dhe tabelave të rreme për homologim, pronarët e veturave kanë paguar më pak se gjysmën e shumës ligjore, ndërsa zyrtarët kanë përfituar në mënyrë të paligjshme.
“Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë, në bashkëpunim me Departamentin për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standardet Profesionale pranë MPB-së, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Kumanovës kundër: M.P. (43) nga Kumanova, e punësuar në MPB – Njësia për Punë Administrative në Kumanovë, për dyshime për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” (neni 353). F.T. (29) nga Kumanova, i punësuar si kontrollor në stacionin e kontrollit teknik në Kumanovë, për dyshime për veprat penale “Falsifikim dokumenti” (neni 378) dhe “Përdorim i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë” (neni 380). B.P. (35) nga Kumanova, për veprën penale “Fshehje mallrash që janë objekt kontrabande dhe mashtrimi doganor” (neni 278-b). D.Z. (34) nga Kumanova, për veprat penale “Dëshmi e rreme” (neni 367) dhe “Fshehje mallrash që janë objekt kontrabande dhe mashtrimi doganor” (neni 278-b). K.P. (39), M.P. (37), D.M. (36), D.S. (35), S.S. (40), M.M. (37) dhe M.M. (24), të gjithë nga Kumanova, për veprën penale “Fshehje mallrash që janë objekt kontrabande dhe mashtrimi doganor” (neni 278-b). Sipas kallëzimit, gjatë vitit 2024, M.P. dhe F.T. janë marrë vesh që F.T. të gjente pronarë të automjeteve me targa të huaja që përdoren në territorin e shtetit. Në bashkëpunim me B.P., ata gjenin pronarët dhe, për gjysmën e shumës që duhej paguar për taksat doganore dhe detyrimet e tjera për importin e automjeteve të përdorura, M.P. i regjistronte automjetet dhe i fuste në sistemin elektronik të automjeteve të regjistruara, pa u paguar këto detyrime. Këtu përfshiheshin: taksat doganore, pagesa për lejen e qarkullimit, taksat administrative, taksa për përdorimin e rrugëve rajonale dhe lokale, si dhe kompensimi për lëshimin e targave të regjistrimit. F.T., duke shfrytëzuar vendin e tij të punës dhe pasi paraprakisht ishte marrë vesh me B.P., D.Z., K.P., M.P., D.M., D.S., S.S., M.M. dhe M.M., përpilonte tabela elektronike të ngjashme me ato që i lëshon Byroja për Metrologji gjatë dhënies së homologimit për automjete të importuara nga jashtë, ku fuste të dhëna të rreme për automjetet“, thonë nga MPB.