Macronët do të paraqesin prova para gjykatës së SHBA-së se Brigitte është grua

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe gruaja e tij, Brigitte, po planifikojnë të paraqesin prova fotografike dhe shkencore në një gjykatë amerikane për të vërtetuar se znj. Macron është grua.

Avokati i tyre thotë se presidenti francez dhe bashkëshortja e tij do të paraqesin dokumentacionin në një padi për shpifje që kanë ngritur kundër influencueses së krahut të djathtë Candace Owens, pasi ajo promovoi bindjen e saj se, Brigitte Macron ka lindur mashkull, raporton BBC.

Avokatët e Owens janë përgjigjur me një kërkesë për të rrëzuar pretendimin.

Duke folur për podkastin Fame Under Fire të BBC-së, avokati i Macronit në këtë rast, Tom Clare, ka thënë se znj. Macron i kishte parë pretendimet si “jashtëzakonisht shqetësuese” dhe se ato janë një “shpërqendrim” për presidentin francez.

“Nuk dua të sugjeroj se kjo në një farë mënyre e ka nxjerrë atë nga loja e tij. Por, ashtu si kushdo që po përballet me një karrierë dhe një jetë familjare, kur familja juaj është nën sulm, kjo ju lodh. Dhe ai nuk është imun ndaj kësaj sepse është president i një vendi”, ka thënë ai.

Clare ka thënë se do të ketë “dëshmi që do të jenë të natyrës shkencore” dhe ka shtuar se çifti është i përgatitur të demonstronte plotësisht “si në përgjithësi ashtu edhe në mënyrë specifike” se akuzat janë të rreme.