Kryeministri britanik, Keir Starmer, planifikon ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ta përfundojë vizitën e tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas gazetës “The Times”, Starmer po shqyrton mundësinë që ta bëjë këtë hap që javën e ardhshme, përpara sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ku pritet që Franca dhe disa shtete të tjera të paraqesin një nismë të ngjashme.
Raportohet se Starmeri është nën presion të madh brenda Partisë Laburiste për ta njohur Palestinën, por do ta shtyjë vendimin derisa të përfundojë vizita e Trumpit, në mënyrë që çështja të mos e errësojë konferencën e përbashkët për shtyp të planifikuar për të enjten (sot). Ministria e Jashtme britanike ende nuk ka komentuar mbi këto raportime.
Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë fuqishëm këtë hap, duke argumentuar se do të ishte një shpërblim për Hamasin pas sulmit të 7 tetorit 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona në jug të Izraelit dhe u morën 251 pengje.
Qysh në korrik, Starmer kishte njoftuar se Britania do ta njihte shtetin palestinez në shtator, nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa të rëndësishëm drejt përfundimit të luftës dhe krizës humanitare në Gaza dhe nuk bie dakord për një proces paqeje të qëndrueshëm.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, atëherë deklaroi se një veprim i tillë “shpërblen terrorizmin monstruoz të Hamasit”. Gjatë një vizite të fundit në Londër, presidenti izraelit, Isaac Herzog, KA THËNË se vendimi britanik “nuk do të ndihmonte në lirimin e pengjeve, as palestinezët dhe as përfundimin e konfliktit, por vetëm do t’i inkurajonte ekstremistët në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë”.
Në muajt e fundit, Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj ministrave izraelitë të ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich, ka ngrirë bisedimet tregtare me Izraelin dhe ka ndaluar kompanitë izraelite të mbrojtjes të marrin pjesë në një panair të madh armësh në Londër. Këtë javë, Akademia Ushtarake Britanike, “Royal College of Defense Studies”, njoftoi se nga viti i ardhshëm nuk do të pranojë më studentë izraelitë.
Izraeli, si pasojë e luftës 23-muajshe në Gaza që nisi me sulmin e Hamasit në tetor 2023, po gjendet gjithnjë e më shumë në izolim ndërkombëtar. Sipas të dhënave, 48 pengje vazhdojnë të mbahen në Rripin e Gazës, prej të cilëve besohet se vetëm rreth njëzet janë ende gjallë.