Franca po përgatitet për njërën prej protestave më të mëdha të viteve të fundit, ndërsa sindikatat po tregojnë unitet të rrallë për t’i bërë presion kryeministrit të ri që të rishikojë shkurtimet buxhetore dhe të marrë masa për pagat, pensionet dhe shërbimet publike.
Sipas të dhënave të policisë, sot pritet që rreth 800 mijë njerëz të dalin në rrugë në marshime në mbarë vendin, ndërsa shkollat, transporti hekurudhor dhe ajror do të preken nga kjo protestë. Në terren do të dislokohen gjithsej 80 mijë policë.
Protesta e sotme pritet të jetë më e madhja që nga viti 2023, kur turma të mëdha njerëzish dolën kundër vendimit për të rritur moshën e pensionit në 64 vjeç, përmes fuqive ekzekutive dhe pa votim në parlament.
Kjo ditë protestash vjen në një kohë krize politike në Francë, pasi Emmanuel Macron javën e kaluar emëroi aleatin e tij të ngushtë, Sebastien Lecornu, si kryeministrin e tretë brenda vitit – pas rrëzimit të dy paraardhësve, François Bayrou dhe Michel Barnier, nga parlamenti për shkak të mosmarrëveshjeve të ashpra buxhetore.
Lecornu, i cili e nis mandatin me një nivel shumë të ulët popullariteti për një kryeministër të ri, më parë ka qenë ministër i Mbrojtjes në dy qeveritë e rrëzuara dhe po e ka të vështirë të bindë partitë opozitare se sjell diçka të re, ndonëse ka premtuar një “shkëputje të thellë” nga politikat e kaluara.
Ai ka vetëm disa javë kohë për të hartuar tekstin e buxhetit dhe për të formuar një tjetër qeveri të brishtë. Duhet të shmangë që buxheti të hidhet poshtë menjëherë nga opozita, e cila mund të paraqesë një mocion mosbesimi dhe ta rrëzojë nga posti.
Që nga zgjedhjet e parakohshme që Macroni shpalli në qershor, parlamenti francez ka mbetur i përçarë mes të majtës, ekstremit të djathtë dhe qendrës, pa asnjë shumicë absolute. Kjo ka sjellë ngërçe të përsëritura buxhetore.