Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka bërë të ditur se dyqanet e para të zinxhirit gjerman LIDL në vend do të hapen shumë shpejt. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai njoftoi se vizitoi punimet e kësaj kompanie në Kumanovë duke u njohur nga afër me ecurinë e projektit.
“Shumë shpejt dyqanet e para të LIDL do të hapen për qytetarët tanë, duke kontribuar në ngritjen e standardeve tregtare dhe duke krijuar qindra vende të reja pune.
Ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe për përmirësimin e kushteve të punësimit në vend!”, shkroi Durmishi.
Ai shtoi se prania e Lidl-it në tregun vendas do të thotë konkurrencë më e madhe, çmime më të favorshme për qytetarët dhe zhvillim i ri ekonomik në nivel lokal dhe kombëtar.