IKSHPK-ja: Uji nga Liqeni i Badocit akoma i papijshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se uji në Liqenin e Badocit vazhdon akoma të jetë i papijshëm, pasi vlera e manganit është ende e lartë.

Analizat laboratorike të realizuara gjatë javës së fundit kanë treguar përqendrime të manganit që tejkalojnë kufirin e lejuar prej 0.05 mg/L, sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2021 “për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu”.

“Në zonën PR03 – Badoc, gjatë periudhës 08.09-15.09.2025, vlerat maksimale të manganit të regjistruara në ujin e pijshëm janë: Më 09 dhe 11.09.2025, vlerat maksimale të regjistruara kanë qenë 0.429 mg/L (Rr. Hyzri Talla) dhe 0.449 mg/L (Rr. Muharrem Fejza). Më 15.09.2025, vlera maksimale e regjistruar ka qenë 0.117 mg/L (Rr. Enver Maloku).”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu IKSHPK-ja apelon qytetarët që ujin ta përdorin vetëm për pastrim e mirëmbajtje të higjenës.

“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon te qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije, deri në njoftimin e radhës. Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës personale dhe ambienteve të banimit.”, thuhet mes tjerash.

Ndërkohë edhe KRU Prishtina, përmes një postimi në facebook ka njoftuar për oraret e furnizimit me ujë të pijes përmes autoboteve.