Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, ka deklaruar se depërtimi i dronëve rusë në hapësirën ajrore polake javën e kaluar, ishte një përpjekje për të testuar reagimin e NATO-s, pa shkaktuar një përgjigje në shkallë të plotë.
Këto deklarata Sikorski i bëri në margjinat e një konference vjetore në Kiev, që mblodhi elitën ukrainase dhe politikanë ndërkombëtarë për të diskutuar perspektivat për vendin pas më shumë se tre vitesh lufte në shkallë të plotë.
Sikorski poashtu konfirmoi se ndonëse dronët e përdorur në këtë depërtim ishin të aftë të bartnin municion, ata që arritën në territorin polak ishin të zbrazët.
“Interesante është se të gjithë ishin të zbrazët, gjë që më bën të mendoj se Rusia ka tentuar të na testojë pa filluar një luftë,” tha Sikorski për The Guardian në Kiev.
Sikorski poashtu tha se reagimi polak do të kishte qenë “shumë më i ashpër” nëse sulmi i javës së kaluar do të kishte shkaktuar të lënduar apo viktima në territorin e tij, por nuk pranoi të japë hollësi se si mund të dukej reagimi i Polonisë po të ishte shkaktuar diçka e tillë.
“Me një agresor dhe gënjeshtar si Putini, funksionojnë vetëm presionet më të ashpra,” tha ai.
Gjithashtu, ministri Sikorski hodhi poshtë sugjerimin e Donald Trump se “kjo mund të ketë qenë një gabim”, duke thënë se përfshirja e kaq shumë dronëve përjashton këtë mundësi.
“Mund të besosh se një apo dy dalin jashtë kursit, por 19 gabime brenda një nate, për shtatë orë, më falni, nuk e besoj. Ekipet kundër dronëve në Poloni do të trajnohen nga operatorët ukrainas për t’u mbrojtur ndaj sulmeve të ardhshme. Ukrainasit kanë pajisje më të mira për t’u përballur me dronët rusë, dhe ata kanë përvojë shumë më të thellë dhe të përditësuar për të rezistuar ushtrinë ruse,” shtoi ai.
Megjithatë sipas deklarimit të tij trajnimi për ekipet polake mbi praktikat më të mira kundër dronëve do të zhvillohet në një qendër stërvitore të NATO-s në Poloni, duke u konsideruar si ambient më i sigurt se në Ukrainë.
Kësaj konference, presidenti amerikan Donald Trump iu drejtua me një mesazh të shkurtër me video, duke përsëritur pretendimin e tij se lufta nuk do të kishte nisur nëse ai do të ishte president.
I dërguari i Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, ishte gjithashtu në Kiev dhe tha në konferencë se presidenti amerikan po bëhet “i irrituar” me Putinin. Por ai paralajmëroi liderët evropianë që janë të zhgënjyer me qëndrimin e butë të Trump ndaj liderit rus, të mos e shtyjnë shumë.
“Një gjë që do t’u këshilloja atyre që punojnë me Presidentin Trump – mos e vendosni atë në një pozitë ku ndjen se po keqpërdoret, kjo është ndoshta pozita më e keqe ku mund të ndodheni me të.” tha Kellogg.
Tutje ministri i Jashtëm i Polonisë Sikorski, tha se shpreson që Trump të marrë Çmimin Nobel për Paqen nëse arrin një “paqe të drejtë” në konflikt, të cilën ai e përshkroi si “një Ukrainë me kufij të mbrojtshëm dhe një Ukrainë që po integrohet me Perëndimin”.
E për pretendimet se Trump deri më tani nuk ka treguar shumë shenja se po ushtron presion mbi Putinin, Sikorski tha se presidenti amerikan ka stilin e vet personal dhe se Polonia do ta respektoj por do ta gjykoj nga rezultatet.