
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka deklaruar të dielën se Britania nuk do të dorëzohet kurrë para protestuesve të ekstremit të djathtë që siç tha, e përdorin flamurin si mbulesë për dhunë dhe për të mbjellë frikë.
Starmer ka dënuar sulmet kundër oficerëve të policisë dhesiç ka thënë, frikësimin racist të pakicave.
Kryeministrit i ishte kërkuar nga deputetët dhe grupet antifashiste të fliste kundër disa prej retorikave në protestën më të madhe nacionaliste në dekada, të organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë Tommy Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon, raporton The Guardian.
Në komentin e tij të parë lidhur me protestat, Starmer ka thënë se ekziston e drejta për protestë paqësore, por se dhuna dhe frikësimi janë të papranueshme.
“Njerëzit kanë të drejtë për protesta paqësore. Është thelbësore për vlerat e vendit tonë”, ka thënë kryeministri në një deklaratë për Guardian. “Por ne nuk do të tolerojmë sulmet ndaj oficerëve të policisë që bëjnë punën e tyre ose që njerëzit të ndihen të frikësuar në rrugët tona për shkak të prejardhjes ose ngjyrës së lëkurës së tyre”.
“Britania është një komb i ndërtuar me krenari mbi tolerancën, diversitetin dhe respektin. Flamuri ynë përfaqëson vendin tonë të larmishëm dhe ne kurrë nuk do t’ia dorëzojmë atë atyre që e përdorin atë si simbol të dhunës, frikës dhe përçarjes”, ka shtuar ai.
Midis 110,000 dhe 150,000 vetë u vlerësuan nga policia se morën pjesë në ngjarjen e së dielës, e cila u drejtua nga themeluesi miliarder i X dhe ish-aleati i Donald Trumpit, Elon Musk.