Arrestohet gruaja nga fshati Bojanë në rajonin e Shkupit, dyshohet për ndërmjetësim në ushtrimin e prostitucionit

Një aksion i Policisë, në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut, Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Inspektoratin e Punës, ka rezultuar me arrestimin e një gruaje nën dyshimin për ndërmjetësim në ushtrimin e prostitucionit, përcjell TV21. Bëhet fjalë për personin G. Sh. (41) nga fshati Bojanë në rajonin e Shkupit.

“Më 11.09.2025, në periudhën nga ora 12:00 deri në ora 14:00, pas informacioneve operative të marra paraprakisht dhe dyshimeve për ndërmjetësim në ushtrimin e prostitucionit, zyrtarë policorë nga SPB-Tetovë, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës, kryen një aksion kontrolli në disa objekte në Tetovë. Gjatë kontrollit në një objekt hotelierik në rrugën “Jane Sandanski” në Tetovë, në orën 14:00 u privua nga liria G. Sh. (41) nga fshati Bojanë, Shkup, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale sipas nenit 191 të Kodit Penal, e cila u gjet në objekt. Në objekt u gjet edhe menaxheri G. N. (59) nga Tetova, pas çka të dyve u janë konfiskuar telefonat celularë. G. Sh. është ndaluar në stacionin policor, ndërsa pas dokumentimit të rastit ndaj saj do të bëhet kallëzim përkatës”, thonë nga MPB.