Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës nderojnë viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit

Drejtuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë bërë homazhe të enjten në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryeparlamentari Dimal Basha vendosën kurora me lule pranë pllakës përkujtimore që ndodhet në oborrin e Qeverisë së Kosovës, në afërsi të Kuvendit.

Sulmet e 11 shtatorit janë cilësuar si një nga ngjarjet më tragjike të historisë moderne amerikane. Katër aeroplanë pasagjerësh u rrëmbyen nga anëtarë të organizatës terroriste Al-Kaida: dy prej tyre u përplasën në Kullat Binjake në New York, një në Pentagon, ndërsa i katërti u rrëzua në Pensilvani, pasi pasagjerët tentuan të zmbrapsnin rrëmbyesit.

Homazhet e sotme, përveçse nderim për mbi 3 mijë viktimat e asaj dite tragjike, siç deklaroi Kurti, janë shprehje e mirënjohjes dhe solidaritetit të popullit të Kosovës me SHBA-në.