Zjarri në deponinë “Drislla” ende aktiv, djegie ka edhe në tre hapësira të tjera

Zjarri në deponinë Drislla është ende aktiv këtë mëngjes, njofton Qendra për Menaxhim të Krizave (QMK). Dhjetë automjete zjarrfikëse ndërhynë dje për të shuar këtë zjarr dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në barin, shkurret dhe pyllin e afërt në anën e sipërme të deponisë.

Përveç këtij zjarri, tre të tjerë janë aktivë. Në komunat e Likovës dhe Gazi Babës, pranë fshatrave Nikushtak dhe Bulaçan, po digjen pyje të degraduara me lisa dhe shkurre të ulëta. Një pyll me pisha po digjet pranë fshatit Tatesh në komunën e Strugës, ndërsa në këtë komunë digjet edhe vegjetacion i ulët në lagjen Elenkamen.

QMK thotë se dy zjarre në hapësirë ​​të hapur janë nën kontroll këtë mëngjes, një në komunën e Berovës pranë fshatit Rusinovë, ku po digjet pyll me lisa, ah dhe fier. Zjarri në deponinë pranë fshatit Kuklish në komunën e Strumicës është gjithashtu nën kontroll.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas QMK-së, janë shuar 23 zjarre, në shumicat e të cilave është djegur bimësi e ulët, mbeturina dhe kashtë.

Ndryshe, më 2 shtator Ministria e Bujqësisë e zgjati deri më 30 shtator ndalimin e lëvizjes në pyjet dhe tokën pyjore të Maqedonisë së Veriut. Ministria përkujtoi se qytetarët që do të kapen duke lëvizur në këto hapësira do të dënohen nga 1 500 deri 2000 euro, në bazë të nenit 106 nga Ligji për Pyjet.

Në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).