Kohë njerëzore apo kohë objektesh?

Shkruan: Gëzim Tushi

Nuk është fare e vështirë që në shoqërinë shqiptare moderne konsumistike, me tendenca të dukshme pasurore polarizuese, të vlerësosh disa dukuri e fenomene të reja sociale bashkëshoqëruese, të cilat tashmë nuk janë më “fluide”, të paqarta apo të pakuptueshme. Polarizimi social, si tendencë në akselerim të dukshëm, ka evidentuar tendenca konsumistike të diferencuara, për shkaqe materiale apo estetike, si shprehje e mundësisë apo pamundësisë për të treguar status social superior. Por pavarësisht disniveleve konsumistike të shtresave shoqërore, në mënyrë evidente po shfaqen disa dukuri komplementare, të lidhura me krijimin e një shtrese të pasur apo të “ngeshme” (Th. Veblen).

Një prej tyre, që është duke u kthyer në determinancë sociale gjeneraliste, që shfaqet e zgjeruar si fenomen i përgjithshëm në jetën e sotme të shoqërisë shqiptare, është i shprehur qartë përmasat e konsumizmit, jo si mjet për të plotësuar nevojat jetike, por si qëllim në vetvete. Edhe në shoqërinë tonë, dikur me jetë në varfëri e konsum të pamjaftueshëm, sot patologjia e konsumit në të gjitha format e saj të dobishme, të nevojshme apo të tepër shpërdoruese dhe si qëllim në vetvete, për nevoja ekzibicionale apo thjesht për dukje sociale, është kthyer në epidemi në rritje. Sociologët postmodernë duke vlerësuar këtë, thonë se praktikisht jetojmë në kohën kur magjia e konsumit është sinjali i një “shoqërie të ngopur që nuk ka histori dhe mit tjetër veç vetvetes dhe konsumit individual”. Në shoqërinë tonë për shkak të kushteve historike dhe dialektikës së veçantë të modernitetit, kjo dukuri patologjike është dhe shfaqet e ndërlikuar, komplekse, në të cilën sintetizohen shumë faktorë politikë, social, kulturorë, estetikë e zakonorë. Konsumizmi patologjik është dukuri e kohëve të fundit, një fenomen i panjohur më parë në këto dimensione.

Madje atipik nga ana materiale e sociale, i refuzuar moralisht në kohën e shoqërisë shqiptare me statusin e “konsumit të racionuar e barazitarist”. Padyshim, është pozitiv fakti që në një kohë historike relativisht të shkurtër, (tri dekada e gjysmë nuk janë shumë), kapërcyem kufijtë e ngushtë të jetës së “njeriut të barabartë”, në shoqërinë e diferencave të mëdha konsumistike, të “njeriut që kapërcen masën e konsumit të nevojshëm, të dobishëm”. Konsumizmi i cili është kthyer në një nga patologjitë e zakonshme, ndoshta me peshë të madhe sociale në kohën e sotme. Një fenomen dominant, gjerësisht i përhapur, që në mënyrë “epidemike” ka përfshirë shtresat sociale dhe individët në shoqërinë tonë. Dukuritë e konsumizmit nuk duhen parë dhe vlerësuar në mënyrë empirike, apo nga ana e jashtme sasiore. Përkundrazi, duhet kuptuar esenca e proceseve shoqëruese e determinuese të kalimit të konsumit, nga “shoqëria solide në atë fluide” (të lëvizshme). Sikurse arsyeton sociologu Z. Bauman: “Kalimi në shoqërinë e sotme të konsumit, shënjoi, pra, një zhvendosje në emfazë dhe jo në ndryshim vlerash”. (“Moderniteti i lëngët”, f.219).

Duke parë tendencat e konsumit herë të dobishëm apo të panevojshëm, herë agresiv e të padobishëm dhe herë për dukje sociale, duket qartë se tipari kryesor i natyrës njerëzore në kohën e sotme është përgjithësisht i sintetizuar tek korniza e “njeriut ekonomik e konsumues”. Duke e vlerësuar sociologjikisht dhe realisht intensitetin në rritje të kësaj patologjie, sociologët po pranojnë një realitet të ri, ekstremisht të qartë dhe shoqërisht evident, se kjo tipologji e njeriut që si qëllim kryesor ka konsumin, në të gjithë format normale e patologjike të saj, me sa duket po bëhet “tipi normal dhe përfundimtar i natyrës njerëzore” në kohën postmoderne. Në fakt, kjo specifikë e konsumit modern e kthyer në sintezë sociale, e shfaqur gjerësisht si dukuri gjeneraliste, si shprehje evidente me elokuencë të dukshme e ideologjisë konsumistike, është tendencë sociale gjithëpërfshirëse, e pakthyeshme nga pikëpamja sociale. Kjo ngaqë në këtë “epidemi” të zgjeruar me strukturë sociale kaotike janë të përfshira sipas mundësive të diferencuara, të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Specifika e konsumizmit të kthyer në “ideologji” e jetës postmoderne, e cila nga njëra anë nisur nga përmasat si fenomen, shfaqet në mënyrë totale natyrisht, por nga ana tjetër, kjo tendencë universaliste ka nuancat e veta të diferencuara, në përputhje me kapacitetet individuale monetariste dhe mundësitë konkrete konsumistike.

Pavarësisht nuancave diferencuese të ideologjisë konsumistike, nuk është vështirë të kuptosh dukurinë masive të një shoqërie, e cila është nën presionin “imperialist” të përmasave të “totalitetit konsumues”. Edhe pse jetojmë në kohë moderne, e cila ka ekskluduar të gjitha ideologjitë, narrativat e mëdha arkaike, tipologjitë determinante, format e vjetra të vlerësimit të tipareve konsumistike si shprehje e “virtyteve aristokratike”, si arkaike e të dala nga moda, të papërshtatshme për shoqërinë tonë me tipare të qarta individualiste e pragmatiste, turbokaptaliste e konsumiste, paradoksalisht kanë filluar të duken tendenca për një lloj recidivizmi të fosileve të sjelljes konsumistike “aristokratike”, si tendencë për t’u dukur përmes shfaqjeve publike të konsumit të tepërt, të padobishëm pse jo edhe shoqërisht dhe individualisht të dëmshëm. Patologji vijnë nga konsumi herë si qëllim në vetvete dhe shumë herë si mjet për të treguar status social të diferencuar. Një dukuri sociale, e cila po përhapet sidomos në jetën “shtresës së luksit”, e banorëve dhe qytetarëve që shpesh kanë një “konsum hermetik”, jetojnë në zona të mbrojtura, të habitate të mbyllura e ambiente sociale super të sigurta.

Këtë situatë sociologu amerikano-norvegjez, Thorstein Veblen, e zgjidh me pyetjen: “konsum apo krekosje sociale”? Padyshim, jemi në kushtet kur sikurse ka shkruar sociologu J P Mayer, i Qendrës Kërkimore Tokëvil në SHBA, “shoqëria po ecën duke krijuar hierarki sociale të reja, që kanë zëvendësuar diferencat e vjetra klasore”. Jam absolutisht dakord dhe në mënyrë të qartë koncepti politik i përcaktimit të klasave dhe përkatësisë klasore ka ndryshuar. Duam apo nuk duam, konsumi po bëhet mjet i “diferencimit shoqëror”. Ai nuk është më thjesht dhe vetëm mjet i plotësimit të nevojave. Është evident pasioni i njeriut të kohës postmoderne për të qenë i diferencuar jo vetëm në staus, por edhe në nivelin e konsumit. Edhe pse në shoqërinë shqiptare, por jo vetëm ka dallime strukturore, hapësinore, ndryshime në statusin dhe mënyrat e realizimit të “konsumit të diferencuar”. Ajo që bie në sy është fakti se ndryshe nga konsumi okult i shtresës së pasur, shtresa e mesme e shoqërisë shqiptare në përgjithësi (nëpunës, mjekë, mësues, specialistë të fushave të ndryshme), nuk kanë tendencë të fshehin konsumin. Madje, përgjithësisht e realizojnë atë hapur, ngaqë konsumi i tyre është normal, i dobishëm, i nevojshëm, i përgjegjshëm dhe jo shpërdorues, krejt si mjet për të jetuar me dinjitet. Por nga ana tjetër, duhet të jemi koshientë, jo thjesht ambiciozë e ziliqarë pa kuptim, sepse në fund të fundit, kjo është shoqëria e sotme shqiptare.

Ajo nuk ka rrugë tjetër, vetëm të ecë në rrugën e lëvizshme të konsumit, midis barazisë dhe dallimit, një tendencë e cila në mënyrë evidente sintetizohet në shfaqjet paralele të luftës midis konformizmit dhe origjinalitetit konsumistik. Duke e shtruar problemin e konsumizmit, nuk mund të jemi dakord me anën tjetër, që për arsye të tjera antimoderne e egalitariste, apo pikëpamje niveluese me substrat të vjetër politik, social e historik, të pranojmë skema që e dëmtojnë shoqërinë me dozat vrastare të “vanitetit të sëmurë” apo paradokseve të shfaqjeve të “lakmisë vulgare”. Diferencat në pasuri dhe konsum janë shprehje e diferencimit social. Por në një shoqëri demokratike nuk mund të jetë paraja, pasuria apo madhësia e konsumit, bazë e vetme dhe e mjaftueshme për madhësinë individuale të “reputacionit social”. Një barazi e tillë midis pasurisë dhe konsumit, nga njëra anë dhe reputacionit social është krejt abuziv dhe me pasoja. Shtresa (ndoshta edhe klasa) e të pasurve, padyshim që është “monetarisht” eprore. Por është banale që përfaqësues të kësaj shtrese e të “pasurve të rinj”, shfaq deficit kulturor dhe etik, të shoqëruar me një kapadaillëk feudal e pseudoaristokratik, që shfaqet në ndjenjën e tyre për konsum të dukshëm, ndonjëherë të papërgjegjshëm, shpërdorues, si mjet për të siguruar “dukje” apo respektueshmëri sociale publike. Prirja diferencuese të konsumizmit është duke u kthyer në dukuri sociale e lidhur dukshëm me paradoksin e “narcizizmit të personalizuar” të kësaj shtrese, që ecën sipas parimit që duke i pëlqyer vetes, janë të gjitha shanset që t’u pëlqesh të tjerëve. (Jean Baudrillard, “Shoqëria e konsumit”).

Konsumizmi si qëllim në vetvete, herë i dobishëm apo tepërt, i padobishëm, i papërgjegjshëm apo shpërdorues, shpesh po ecën mbi bazamentin social të lëkundur e të bazuar në modulet e një “kulturë kazinoje” (George Steiner). Kjo kulturë ndikon në tendencën e njerëzve tanë për të plotësuar nevojat e tyre imediate, madje “këtu dhe tani”. Por tamam si kazino, kënaqja konsumistike nga përdorimi i sendeve të konsumit është e shkurtër, që zgjat deri në “rrotullimin e zarit” të konsumit të sendit të radhës. Kjo estetikë e konsumit, që shfaqet dukshëm në jetën dhe stilin e sjelljes së njerëzve tanë. Nuk është fjala se duhet të jemi egalitaristë, kundër konsumit të diferencuar sipas mundësive monetariste individuale. Jo. Kjo është e papranueshme. Në shoqëritë e sotme, përfshirë edhe shoqërinë tonë, problem është vendosja e konceptit social që kërkon që të “konsumosh në mënyrë të hijshme dhe të jetosh në mënyrën e duhur”.

Doemos, jeta moderne nuk i ka shumë qejf krahasimet dalluese e diskriminuese, sepse jetojmë në kohë të reja, kur njeriu ka shumë dëshira e nevoja që kërkon t’i realizojë dhe plotësojë përmes konsumit të personalizuar. Por në këtë shoqëri të konsumit të pandërprerë, qoftë të tepërt apo të vazhduar, plotësimi dëshirës “sjell fundin e saj:” dhe lindjen e menjëhershme të një dëshire të re për konsum të rinovuar, të vazhduar. Kjo është një sëmundje sociale shumë e përhapur, e vështirë për t’u administruar dhe normalizuar. Më është dukur interesante ndërhyrja elokuente e sociologut Zygmunt Bauman, sipas të cilit shoqëria likuide është në kushtet e një shoqërie të re të bazuar në estetikën e konsumit. Sipas tij, ka një mekanizëm të ridimensionimit të konceptit konsumistik, nëse plotësimi i kërkesave për dukje sociale, që janë të tepërta, të panevojshme, të papërgjegjshme, të padobishme, shpërdoruese e konsumuese të njeriut postmodern, mund të të ndikohet nëse udhëhiqen nga parimi i “farmakonit të Derridasë”, i cili konsiderohet si “ilaç shërues dhe helmues njëherësh, apo më mirë, një ilaç që duhet të racionohet me kursim, asnjëherë në dozën e plotë vrastare. Një plotësim që asnjëherë nuk plotëson vërtet, asnjëherë i shijuar deri në fund, gjithmonë i braktisur në gjysmë të rrugës”. (Z. Bauman Moderniteti i lëngët”, f. 221).

Nuk besoj se është mirë dhe as i shërben shëndetit të shoqërisë shqiptare fakti që në shumë aspekte të jetës së dominuar “verbërisht nga konsumizmi”, hierarkia shoqërore e klasore e shoqërisë tradicionale të dikurshme, në kushtet e shoqërinë postmoderne, të zëvendësohet me “hierarkinë e objekteve”, ngaqë jemi kudo të rrethuar dhe fatalisht nën presionin e konsumit gati të detyruar e të determinuar të tyre. Madje, ka shenja të obsedimit social dhe jo pak njerëz kanë filluar të jetojnë me “ritmin e tyre”. Kjo është arsyeja që të ndodhur përballë presionit të ideologjisë konsumistike, mbivlerësimit të aspekteve materiale e monetariste, shtrohet pyetja dilematike: ku jetojmë? Në kohë njerëzore apo në kohë objektesh? Ne nuk i kthejmë dot realitetet nga rruga e tyre. Por kemi mundësi të rregullojmë parametrat e jetës sociale dhe morale, në mënyrë që të ndërtojmë një paradigmë humane, që të bazohet në konceptin se pavarësisht pasurisë dhe nivelit të konsumit të diferencuar, së bashku jetojmë në “kohë njerëzore”, jo në “kohë objektesh” konsumi…/Gazeta Panorama