Hoti: Sikur VV të sillej në mënyrë konstruktive, Kuvendi do të konstituohej që në javët e para

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për qasjen e saj në procesin e konstituimit të Kuvendit. Në një intervistë për RTK, Hoti tha se sjelljet arbitrare dhe jokushtetuese të kësaj partie kanë shkaktuar bllokadën institucionale.Sipas tij, Vetëvendosje nuk i ka njohur të drejtat e grupeve parlamentare për të deleguar dhe propozuar kandidatë, duke theksuar se nëse këto procedura do të respektoheshin që në fillim, vendi nuk do të përballej me vonesat në funksionalizimin e institucioneve.

“Po të ishin sjellë në mënyrë konstruktive në Kuvend, 5-6 herë nuk është votuar një kandidate dhe pastaj në mënyrë arbitrare, kryesuesi i Kuvendit në mënyrë arbitrare, jokushtetuese e ka ndërruar rendin e ditës. Pastaj kanë pasur mundësi që kur nuk është votuar një kandidate 2-3 herë të ndërrojnë kandidatin siç e ndërruan. Sikur këto veprime të VV-së të ishin bërë qysh në fillim, Kuvendi do të ishte konstituuar. Sikur këta të silleshin në mënyrë konstruktive, duke ia njohur të drejtën një grupi parlamentar për të deleguar, për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit.Ka dallim substancial mes kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Për kryetarin e Kuvendit duhet të ketë konsensus politik. Nënkryetarët përfaqësojne grupet parlamentare përkatëse. Pra është diskrecion i plotë i grupit parlamentar për nënkyretarë. Ndërkohë që për kryetar Kuvendi nuk është diskrecion i plotë i grupi më të madh parlamentar në rastet kur nuk i ka 61 vota.” – tha ai.