Qeveria britanike ka ndaluar zyrtarët izraelitë të marrin pjesë në një konferencë të madhe të mbrojtjes në Londër, mes kritikave të vazhdueshme ndaj fushatës ushtarake në Gaza.
Ministria izraelite e Mbrojtjes ka qenë më parë e përfaqësuar fuqishëm në DSEI, një ekspozitë gjigante armësh dhe pajisjesh ushtarake që zhvillohet në Londër çdo dy vjet.
Por një zëdhënës i qeverisë britanike i tha POLITICO-s se këtë vit nuk do të ftohen për të marrë pjesë. Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të Whitehall-it, kompanitë izraelite të armëve do të lejohen të marrin pjesë normalisht në DSEI dhe pritet që prania e tyre të shkaktojë protesta të gjera.
“Vendimi i qeverisë izraelite për të përshkallëzuar më tej operacionin ushtarak në Gaza është i gabuar. Si rezultat, mund të konfirmojmë se asnjë delegacion qeveritar izraelit nuk do të ftohet për të marrë pjesë në DSEI UK 2025”, tha zëdhënësi.
“Duhet të ketë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund këtij lufte tani, me një armëpushim të menjëhershëm, kthimin e pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare për popullin e Gazës”, shtoi ai.
Londra ka shtuar gradualisht presionin ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu për të pranuar një armëpushim në muajt e fundit, duke pezulluar negociatat tregtare dhe duke premtuar se do të njohë shtetin palestinez nëse ai nuk ndryshon qëndrim.
Konferenca zakonisht mbledh delegacione kombëtare dhe kompani private, me secilin shtet që ka pavijonin e vet të veçantë. Nuk është e qartë nëse Izraeli do të ketë ende një pavijon të dedikuar këtë vit.
DSEI organizohet nga kompania Clarion Defence and Security Limited, por mbështetet fuqimisht nga qeveria dhe forcat e armatosura britanike. Ky vendim i qeverisë britanike vjen pas një situate të ngjashme në Paris Air Show në qershor, kur kompanive izraelite iu kërkua të hiqnin disa armë nga ekspozita dhe ato refuzuan të binden.
Zyrtarët e afërt me vendimin britanik thanë se qeveria izraelite është informuar dhe se ndalimi mund të hiqet nëse ajo tregon angazhim për të respektuar të drejtën ndërkombëtare humanitare në territoret palestineze të pushtuara.
DSEI nuk pranoi të komentojë, dhe ambasada izraelite në Londër nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.