Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e dënuar e pedofilit të ndjerë Jeffrey Epstein, u tha zyrtarëve amerikanë se nuk ekziston “lista e klientëve” për të cilën është folur shumë.
Në një intervistë me ndihmës prokurorin e shtetit Todd Blanche, ajo tha se nuk kishte parë asnjë sjellje të papërshtatshme nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump apo ish-presidentit, Bill Clinton.
Ajo foli gjithashtu për marrëdhënien e saj dhe të Epsteinit me princin Andrew dhe i quajti akuzat se ai kishte kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur në shtëpinë e saj si “jashtëzakonisht të paimagjinueshme”.
Maxwell po kërkon falje nga Trumpi dhe është akuzuar se ka gënjyer zyrtarët federalë.
Intervista u zhvillua në muajin korrik, në një kohë kur administrata Trump ishte nën presion të vazhdueshëm për të zbuluar më shumë informacion në lidhje me Epsteinin, me të cilin Trump kishte qenë në marrëdhënie miqësore para se të prishnin raportet në vitin 2004, sipas pretendimeve të Trump.
Menjëherë pas intervistës me Blanche – e cila më parë kishte punuar si avokate personale e Trumpit – Maxwell u transferua nga një burg në Florida në një tjetër burg me siguri të ulët në Teksas. Nuk është e qartë pse u bë ky transferim.
Shtëpia e Bardhë ka qenë e vendosur që të mos diskutojë për faljen e saj, raporton cnn.
Maxwell aktualisht po vuan një dënim me 20 vjet burg për trafikim njerëzor për qëllime shfrytëzimi seksual dhe ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën e Lartë të SHBA-së për të anuluar vendimin e saj.
Presioni po rritet edhe nga Partia Republikane e Trumpit për më shumë transparencë në lidhje me hetimet për Epsteinin. Megjithatë, Trump ka akuzuar kundërshtarët politikë se po përdorin rastin për të shpërqendruar vëmendjen nga ato që ai i konsideron si fitore të administratës së tij.
Në transkriptet prej 300 faqesh, Maxwell tha se megjithëse besonte se Trump dhe Epstein ishin miq “në rrethana shoqërore”, ajo nuk mendonte se kishin një miqësi të ngushtë.
“Unë në fakt kurrë nuk e kam parë presidentin në ndonjë ambient masazhi,” tha ajo, duke iu referuar shërbimeve të masazhit që disa viktima thanë se ishin përdorur për t’i futur në krimet e Epsteinit.
Ajo gjithashtu tha se nuk e kujtonte që Trump t’i kishte dërguar Epsteinit një kartolinë për ditëlindjen e 50-të në vitin 2003 – një detaj që tërhoqi vëmendjen e mediave pasi mesazhi u publikua në Wall Street Journal.
Në intervistë, Blanche e pyeti gjithashtu Maxwell-in për të ashtuquajturën “listë klientësh” të personazheve të njohura, e cila është bërë objekt i teorive të konspiracionit vitet e fundit.
Maxwell u pyet për disa personalitete të tjera të njohura, përfshirë Bill Gates, Elon Musk, ish-kryeministrin izraelit, Ehud Barak, ministrin amerikan të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., aktorin Kevin Spacey, supermodelen, Naomi Campbell dhe Princin Andrew – për të cilët ajo mohoi se i kishte prezantuar me Epsteinin.
Lista e bashkëpunëtorëve të tij të profilit të lartë është bërë pikë qendrore për teoricienët e konspiracionit, të cilët pretendojnë se “shteti i thellë” po e fsheh për të mbrojtur individët e fuqishëm të përfshirë në krimet e Epsteinit.
“Nuk ka listë,” përsëriti ajo.
Maxwell u pyet edhe për mendimin e saj rreth vdekjes së Epstein-t, i cili kreu vetëvrasje në qeli në burgun e New Yorkut në vitin 2019, ndërsa priste gjykimin për akuzat për trafikim njerëzor për qëllime shfrytëzimi seksual.
“Unë nuk besoj se ai kreu vetëvrasje, jo,” tha ajo, megjithëse shtoi se nuk kishte asnjë arsye të besonte se ai ishte vrarë për ta heshtur.
Më herët këtë vit, u shfaqën raportime se prokurorja amerikane, Pam Bondi i kishte thënë Trumpit se emri i tij shfaqej në dosjet e çështjes.