Blushi: Shqipëria është Republikë Tregtare, po largohet me shpejtësi dhe kokëfortësi nga konfliktet me komshinjtë

Publicisti i njohur, Ben Blushi, ka shkruar për Republikën, siç e çuan ai Tregtare të Shqipërisë, që sipas tij, vitet e fundit e ka marrë këtë formë.

Blushi thotë se qëllimi kryesor i një Republike Tregtare është të shkëlqejë, aq sa nganjëherë ajo duket sikur mendon më shumë për të huajt se për vendasit.

“Republika Tregtare kërkon të jetë gjithë kohën një vitrinë lluksi, një avangardë në ndërtim dhe në organizime kulturore,në samite të mrekullueshme, tolerante me të gjitha racat,me të gjitha kombet, sidomos me të gjitha fetë, një hub, pra një zonë e lirë për piktorët, artistët,arkitektët, për start upet, një vend i mbushur me festivale dhe koncerte në cdo stinë, joshës për ata që bëjnë trend në tregjet ndërkombëtare, të cilët e vizitojnë atë shpesh nga deti dhe nga ajri duke kërkuar të sigurojnë aty një copë tokë për vete, ose për biznes.

Por që të jesh Republikë Tregtare duhet të plotësosh patjetër një kusht.

Duhet të kesh det.

Megjithatë jo të gjithë ata që kanë det mund të bëhen Republika Tregtare.”

Sipas tij, Shqipëria po investon shumë në turizëm, në transport dhe është një vend shumë i hapur për të huajt qofshin turistë, punëtorë krahu apo tregtarë nga të gjitha anët e botës.

Madje, ai shprehet se shteti shqiptar ndërton ndoshta më shumë se kushdo në Evropë dhe duke marrë parasysh madhësinë dhe popullsinë që ka kuptohet se ndërton për të huajt që mund të vijnë nesër.

“Nga ana tjetër ajo po largohet me shpejtësi dhe kokëfortësi nga konfliktet me komshinjtë, madje deri në atë pikë saqë duket sikur interesat e shqiptarëve që jetojnë në vende të tjera po i injoron në dobi të interesave të veta tregtare.”

Blushi thotë se tani Republika e Tregtare e Shqipërisë shikon vetëm xhepat e saj dhe është “agresivisht egoiste dhe kështu duhet të vazhdojë të jetë.”

Megjithtë, sipas tij nëse ka një rrezik, ai vjen nga Europa.

“Europa është gjithnjë kundër Republikave Tregtare.”

“Por kur ne të kemi mbaruar negociatat, për pesë vjet, e sigurt është se Europa nuk do jetë më kjo që është sot.

Forca të reja politike po lindin të cilat do kërkojnë ta ndryshojnën këtë model ekonomik duke i dhënë pak më shumë fuqi vendeve antare.

Europa do kuptojë se periferia e saj nuk mund të sillet si veriu i ngurtë.

Këtu ka më shumë diell ,njereëzit vishen me rroba të lehta dhe era e detit i fluturon paratë nga xhepat.

Shqipëria ka qenë historikisht mes Lindjes dhe Perëndimit dhe ky lloj hub-i mund të funksionojë në të ardhmen si cepi apo më saktë si kepi i një lirije më të madhe financiare.

Prandaj them se ndoshta këtë herë mund të kemi pak fat.

Mund ta shijojmë Republikën tonë Tregtare për disa vjet sepse sic thonë marinarët e vjetër, era duket e ngohtë dhe mund ta shtyjë anijen tonë në ujëra më të qeta.”