Ferr në rrugët e Kolumbisë – kartelet e drogës rrëzojnë një helikopter, të paktën 18 të vdekur

Të paktën 18 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në dy sulme në Amerikën Jugore. Pas tyre qëndrojnë grupe të armatosura të dala nga ish-lëvizja guerile Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), raportoi të premten agjencia Reuters.

Ish-anëtarët e FARC-ut kanë sulmuar në disa lokacione. Në qytetin e tretë më të madh kolumbian, Kali (Cali), përpara një baze ushtarake shpërtheu një autobombë. Gjashtë persona humbën jetën dhe mbi 70 të tjerë u plagosën.

Disa orë më herët, pranë qytetit Amalfi në veri të vendit, gjatë një operacioni kundër plantacioneve të kokainës, u rrëzua një helikopter i policisë. Në mbetjet e tij humbën jetën 12 policë. Kryetari i bashkisë së Kalit, Alejandro Eder, e përshkroi shpërthimin në rrugën e ngarkuar përpara bazës si një “sulm narkoterrorist”. Në rrjetet sociale janë shpërndarë video ku shihen njerëz të shtrirë në tokë, të cilët po ndihmohen nga ekipet e shpëtimit, një kamion që digjet, automjete të dëmtuara dhe dritare të thyera, shkruan bbc.

Presidenti Gustavo Petro i ka fajësuar për sulmet fraksionet e FARC-ut që refuzuan marrëveshjen e paqes të vitit 2016, e cila synonte t’i jepte fund konfliktit ku gjatë dekadave kanë humbur jetën mbi 450 mijë persona.

Menjëherë pas shpërthimit në Kali, nuk ishte e qartë se cili grup i armatosur qëndronte pas sulmit. Në qershor, një fraksion i FARC-ut i quajtur Estado Mayor Central (EMC) mori përgjegjësinë për një seri sulmesh me bomba dhe armë në Kali dhe rrethina, ku u vranë shtatë persona – pesë civilë dhe dy policë.

FARC ishte grupi më i madh gueril në vend. Në vitin 2016, presidenti i atëhershëm Juan Manuel Santos nënshkroi një marrëveshje paqeje me ta, pas së cilës shumica e anëtarëve dorëzuan armët në vitin 2017.

Nga FARC më pas u formua një parti politike që, në bazë të marrëveshjes, fitoi edhe disa vende në parlament.

Grupi rebel EMC është formuar nga ish-anëtarë të FARC-ut që nuk pranuan marrëveshjen për ndërprerjen e luftimeve. Aktivitetet e këtij grupi financohen, ndër të tjera, përmes tregtisë së kokainës.