Millanoviq thotë se Kroacia nuk do të dërgojë ushtarë në Ukrainë: Qëndrimi im për këtë çështje është i qartë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si më parë, përsëriti se Kroacia nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë.

Ai reagoi pas pjesëmarrjes së kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviq, në takimin onlajn të “Koalicionit të të Gatshmëve”, në një postim në rrjetet sociale.

Millanoviq ka theksuar disa herë se Zagrebi nuk do të përfshihet ushtarakisht në këtë konflikt dhe se pozicioni i tij mbetet i pandryshuar.

“Kryeministri mori pjesë në takimin e vendeve që kanë shprehur gatishmërinë për të dërguar trupa në Ukrainë. Dua të kujtoj se Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe detyrimet tona burojnë vetëm nga këto aleanca”, tha ai.

Sipas tij, Kroacia nuk ka detyrim të zbatojë marrëveshje politike ose ushtarake të vendeve që janë pjesë e “Koalicionit të të Gatshmëve”.

“Qeveria kroate nuk ka mandat të dërgojë ushtarë në Ukrainë. Unë jam zgjedhur nga populli dhe qëndrimi im është i qartë: trupat kroate nuk do të përfshihen në luftën e askujt tjetër. E përsëris këtë,” theksoi Millanoviq.