
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë nisur bisedimet historike ballë për ballë, me synimin për të gjetur një zgjidhje të mundshme që do t’i jepte fund gati 42 muajve të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Në Kiev, ky takim po përcillet me shqetësim, mes frikës se rezultatet mund të rrezikojnë sigurinë ose sovranitetin e vendit.
Avioni presidencial amerikan “Air Force One” u ul në bazën ushtarake Elmendorf, pranë Ankorixhit, rreth orës 10:20 sipas kohës lokale. Rreth 40 minuta më vonë, mbërriti edhe një aeroplan rus “Ilyushin” me Putinin në bord.
Trump dhe Putin shtrënguan duart dhe ecën krah për krah në pistë, ndërsa gazetarët u drejtuan dy liderëve me pyetje, përfshirë nëse presidenti rus do të ndalonte sulmet ndaj civilëve ose do të pranonte një armëpushim. Nuk ishte e qartë nëse ata i dëgjuan pyetjet.
Në një veprim të papritur, Putini iu bashkua Trumpit në limuzinën presidenciale amerikane, teksa të dy u nisën drejt vendtakimit – një nder i rrallë për një udhëheqës të një shteti rival.
Më pas, dy liderët u ulën së bashku me delegacionet përkatëse në vendin e takimit, dhe në prapavijë shihej një pano ku shkruante “Në kërkim të paqes”.
“Ju faleminderit shumë. Faleminderit”, tha Trump, ndërsa gazetarët sërish u drejtuan me pyetje, të cilave dy presidentët nuk iu përgjigjën.
Në takimin e dy udhëheqësve po marrin pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff.
Pas këtij takimi, delegacionet do të kenë një drekë pune, ku marrin pjesë Rubio, Witkoff, sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ai i Tregtisë, Howard Lutnick, shefi i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe shefja e stafit të Trumpit, Susie Wiles.
Ndërkaq gjatë fluturimit për në Alaskë, Trump i tha Fox News se beson që takimi do të shkojë mirë, por nëse nuk ka rezultate, “do të kthehem shumë shpejt në shtëpi”.
I pyetur për pritjet, Trump tha se nuk e di çfarë do të ndodhë, por shpreson që do të arrihet një armëpushim.
“Do të doja të shihja një armëpushim. Nuk do të isha i lumtur nëse nuk do të ndodhte kjo, por të gjithë thonë se nuk do të arrish të marrësh një armëpushim. Kjo do të ndodhë në takimin e dytë. Takimi i dytë do të jetë i mrekullueshëm. Por, nuk do të jem i lumtur nëse ky takim nuk prodhon një armëpushim”, tha ai.
Ky është takimi i tyre i parë ballë për ballë që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar. Dy udhëheqësit, megjithatë, gjatë kësaj periudhe, kishin zhvilluar të paktën pesë biseda.
Para samitit Trump-Putin, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, – shteti i të cilit është dërmuar nga lufta – tha se ukrainasit “kanë besim në SHBA-në”.
Ai tha se shpreson që ky takim të hapë “një rrugë të vërtetë drejt paqes së ndershme”, por edhe bisedimeve mes udhëheqësve në një format trepalësh: Ukraina, SHBA-ja dhe Rusia.
Më herët, Trump ka propozuar që një takim i tillë trepalësh të mbahet brenda pak ditësh. Alaska mund të ishte sërish vendi për një takim të tillë.
Udhëheqësit evropianë, të cilët, së bashku me Ukrainën janë lënë jashtë bisedimeve, janë të shqetësuar se marrëveshja e mundshme nga ky takim mund ta lërë Ukrainën në pozitë më të dobët ose t’i minojnë aftësitë e Evropës për ta mbështetur Ukrainën dhe për t’u përballur me kërcënimet e Rusisë.
Ukraina dhe Rusia kanë vija të kuqe, prandaj rruga drejt paqes nuk është e lehtë.
Rusia insiston në diskutimin e asaj që asaj që e konsideron “rrënjën” e konfliktit – kod i Kremlinit përmes së cilit kërkon që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO, si dhe marrjen e hapave për çarmatosje të ushtrisë ukrainase.
Presidenti amerikan, Donald Trump, para samitit disa herë ka sugjeruar se çdo marrëveshje për ndaljen e luftës mund të përfshijë “shkëmbim të territoreve”.
Ai nuk ka dhënë detaje për këtë dhe mbetet e paqartë se cilat territore mund të shkëmbehen, pasi Rusia ka nën kontroll pjesë të mëdha të Ukrainës, ndërsa Ukraina aktualisht nuk ka nën kontroll asnjë territor rus.Ukraina, ndërkaq, i konsideron të papranueshme koncesionet territoriale, dhe kërkon garanci të sigurisë.
Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, që përbën afërsisht 114.500 kilometra katrorë.
Vija e frontit të luftës është rreth 1.000 kilometra e gjatë dhe kalon nëpër rajonet e Harkivit, Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjës dhe Hersonit.
Të dyja palët vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha, mirëpo më herët gjatë muajit Rusia ka nisur të shënojë fitore në lindje të Ukrainës, duke avancuar 10 kilometra, teksa ushtria përqendrohet rreth rajoneve të Toretskut dhe Pokrovskut./REL