Planet e Rita Ora-s për të ndërtuar një palestër në kopshtin e rezidencës së saj luksoze në veri të Londrës kanë ngjallur pakënaqësi të madhe në lagje. Këngëtarja shqiptare me famë botërore bleu këtë pronë të klasifikuar si ndërtesë e mbrojtur (Grade II) në vitin 2021 për 7.5 milionë paund.
Por duket se ajo nuk ishte e vetëdijshme se po zhvendosej pranë një grupi fqinjësh të tipit NIMBY (“Not In My Back Yard”), të cilët edhe më parë kishin shprehur kundërshtime ndaj renovimeve të shtëpisë së saj.
Pas paraqitjes së projektit nga arkitekti i Rita-s për një palestër të vendosur në oborr, reagimet kundër nuk kanë vonuar. Një grup banorësh nga një bllok apartamentesh aty pranë kanë dorëzuar një ankesë të përbashkët, ku thuhet: “Banorët që zgjodhën këtë zonë për qetësinë e saj, nuk duhet të detyrohen të jetojnë me ndriçim artificial, zhurma të amplifikuara apo humbje të privatësisë”.
Ata shtuan se, edhe pse projekti parashikon izolim akustik, dyert e mëdha rrëshqitëse lënë të kuptohet se mund të ketë muzikë dhe zëra me volum të lartë në çdo orë.
Fqinjët kujtojnë se në një pronë ngjitur ekziston një rregull strikt që ndalon grumbullimet e mëdha dhe festat, për të ruajtur qetësinë dhe respektin mes banorëve.
“Ky propozim minon marrëveshjen e përbashkët për ruajtjen e paqes dhe rrezikon të shkaktojë konflikte, ankesa apo edhe procese gjyqësore”, thuhet më tej në ankesë.
Një tjetër banor ka shprehur madje shqetësimin se ndërtimi i palestrës mund të pengojë ketra dhe dhelpra që jetojnë në zonë.
Pavarësisht polemikave, projekti i Rita Ora-s parashikon që palestra të jetë e izoluar plotësisht nga zhurma.