Stalini, Putini dhe Ballkani

Shkruan: Naser SLEMANI

Më 9 korrik të këtij viti, Parlamenti Evropian miratoi raportin e eurodeputetit austriak Tomas Weitz për përparimin e Maqedonisë. Për fat të keq për Shkupin, në raport u lanë jashtë pjesët që përmendin “identitetin maqedonas” dhe “gjuhën maqedonase”. Gjithashtu, iu kushtua vëmendje serioze rrezikut që vjen nga prania e ndikimit të huaj në Maqedoni. Vetë raportuesi theksoi: “Në Maqedoninë e Veriut shohim shumë ndikim të huaj. Duhet të luftojmë kundër tij, pavarësisht nëse është serb, kinez apo rus.”
Të kthehemi në vitet ’30 të shekullit XX, kur udhëheqësia e Kominternës mori vendimin përfundimtar për të ashtuquajturën “çështje maqedonase”. Me rezolutën e miratuar nga organizata komuniste, e dominuar nga Stalini, për herë të parë njihet ekzistenca e një kombi maqedonas të veçantë dhe e gjuhës maqedonase.
Kur bëhet fjalë për Atin e Popujve, të mos harrojmë se Stalini ishte ekspert për çështjet kombëtare. Në qeverinë e parë bolshevike, ai mori postin e Komisarit të Popullit/ministrit për çështjet e kombësive. E në Bashkimin Sovjetik kishte sa të duash kombe: rusë, ukrainas, gjeorgjianë, kazakë, tatarë, çeçenë dhe shumë të tjerë, përfshirë gjermanë, polakë, grekë, hebrenj e armenë. Më shumë se 50 grupe etnike të ndryshme, sipas të dhënave zyrtare të kohës sovjetike.
Por, për gjeorgjianin etnik që mori drejtimin e BRSS pas vdekjes së Leninit, kombet përbënin problem dhe rrezik. Ai sheqetësohej sikur ndonjë komb të harrojë për internacionalizmin dhe të kërkojë vetëvendosje e të largohet nga orbita e Moskës?
Eksperti për çështjet kombëtare, Stalini, gjeti zgjidhje. Ai e inicioi, ndërsa paraardhësit e KGB-së realizuan një deportim masiv të kombeve dhe popujve. Dhe sipas traditës së vjetër që nga koha e perandorëve rusë, rruga ishte vetëm një: drejt Siberisë dhe Azisë Qendrore. Brenda rreth 20 vitesh u zhvendosën rreth 3.5 milionë njerëz. Në mënyrë kompakte, në grupe prej 100–150 mijë vetash. Komb pas kombi.
U shmangëm pak, por e gjetëm logjikën e ngjarjeve të viteve ’30 të shekullit XX. Nëse jemi ekspertë për kombësi, pse të mos përpiqemi të përdorim çështjet e pazgjjidhura kombëtare për interesat e Moskës? Ndoshta funksionon? Por sidoqoftë, është një eksperiment dhe nuk ia vlen të rrezikosh në territorin sovjetik. Ku është më e përshtatshme? Në Perëndim nuk kemi as ndikim, as mundësi. Në Lindje? As aty, Japonia ka pushtuar tashmë Manxhurinë dhe oreksi i saj është i drejtuar nga Siberia.
Dhe sërish, sipas traditës së vjetër, Stalini kujtohet për “Fuçinë e Barutit të Evropës”. Saktësisht, për Ballkanin. Partitë e majta dhe pro-bolshevike janë relativisht të forta dhe liderët e tyre janë nën kontrollin e Moskës. Paralelisht, në fund të viteve ’20, ideja e një federate ballkanike po fiton mbështetje, kryesisht mes socialistëve dhe komunistëve, mbështetësve të BRSS-së në rajon. Ballkani i bashkuar? Kaq larg nga Moska? Pa mundësi kontrolli të drejtpërdrejtë?
Divide et impera! Përça dhe sundo! Nga Cezari, te dinastia franceze Valua e deri te Makiaveli. Në Ballkan tashmë ka një komb të ri, kombi maqedonas! Me një gjuhë të re maqedonase! Rreziku nga një Ballkan i bashkuar, në ato vite po aq i madh për Lindjen u eliminua.
Viti është 1934. Sekretariati Politik i Komitetit Ekzekutiv të Kominternës merr vendimin përfundimtar për të ashtuquajturën “çështje maqedonase”.
Bomba e vendosur nga eksperti gjeorgjian për çështjet kombëtare vazhdon të numrojë… Prej 90 vitesh. Dhe nuk do të ndalet së shpejti. Stalini ka një pasardhës të denjë në fronin e Moskës. Putini, nga ana tjetër, ka një mik në Beograd. Vuçiqi është gjithashtu pasardhës, por i Millosheviqit. Të dy janë në veprim. Dje në Gjeorgji, sot në Ukrainë. Dje në Dubrovnik, Srebrenicë dhe Sarajevë. Sot në Beograd, Shkup dhe Banja Llukë. E nesër?
Është e qartë se droja e Parlamentit Evropian ka logjikë. Apo informacione?