Video e rrezikshme e të rinjve në Shkup, MPB: Janë marrë masa ndaj shoferit dhe personit mbi kofano

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se ka marrë masa pas publikimit të videos në rrjetet sociale, ku shihen disa të rinj sesi rrezikojnë jetët e tyre dhe sigurinë në trafikun e Shkupit, përcjell TV21. Nga MPB thonë se janë marrë masa ndaj shoferit dhe personit që shihet mbi kofano.

“Lidhur me videon që u shpërnda në rrjetet sociale, Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin se menjëherë janë ndërmarrë masa dhe veprime, personat janë identifikuar, është kryer bisedë zyrtare me ta dhe ndaj tyre do të ngrihen padi përkatëse në përputhje me Ligjin për Sigurinë në Trafikun Rrugor dhe Ligjin për Automjetet. Konkretisht, ndaj drejtuesit të automjetit S.Z. (20) nga Shkupi do të ngrihen akuza sipas nenin 167 paragrafi 2 (për transportim të një personi në pjesët e jashtme të automjetit), nenin 225 paragrafi 9 (drejtim mjeti pa patentë shoferi), dhe nenin 26 paragrafi 10 të Ligjit për Automjetet (drejtim mjeti pa targa regjistrimi). Ndërsa ndaj personit që qëndronte mbi kofano të veturës, R.Gj. (19) nga Shkupi, do të ngrihen akuza sipas nenit 317 paragrafi 14 (i ka lejuar një personi pa patentë të ngasë automjetin), dhe nenit 165 paragrafi 2 (ka kryer veprime që rrezikojnë sigurinë e tij). SPB Shkup po ndërmerr edhe masa shtesë për të sqaruar plotësisht rastin”, thonë nga MPB.

Sipas videos, të rinjtë performojnë vallëzimin e famshëm të “Kultivimi i aurës”, që u bë trend pasi për herë të parë u performua në një varkë nga Rayyan Arkan Dikha në Indonezi.