Pas shumë mangësive dhe organizimit të dobët të Olimpiadës Rinore që u mbajt në vend, ministri i Sportit Borko Ristovski, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, hodhi poshtë të gjitha kritikat dhe akuzat ndaj tij. Ai pranon se disa salla sportive nuk ishin me ajër të kondicionuar, ndërsa njëra nga pjesëmarrëset që ishte e akomoduar në konviktin studentor “Stiv Naumov” u ankua se i ishte shembur një pjesë e tavanit në banjë.
Ristovski thotë se Ministria nuk ishte fare organizatore e Olimpiadës, për përgatitjen e së cilës nevojiten të paktën dy deri në tre vite, prandaj ai personalisht kishte kërkuar që mbajtja e saj të shtyhej, por kjo kërkesë ishte refuzuar.
“Unë personalisht pata një bisedë me presidentin e Komitetit Olimpik Evropian në drejtim të theksimit se si shtet nuk i kemi ato komplekse sportive që Komiteti Olimpik dhe Qyteti i Shkupit i kanë marrë si obligim me nënshkrimin e marrëveshjes për organizimin e një ngjarjeje kaq të madhe dhe masive. Ne propozuam ose të anulohej Olimpiada Rinore që mbahet në Maqedoni, ose të reduktohej në 1.000 pjesëmarrës për të cilët mund të jepnim garanci si shtet”, tha Borko Ristovski – ministër i Sportit.
Nga LSDM kërkojnë që Ristovski menjëherë të japë dorëheqje të parevokueshme, për shkak jo vetëm të skandalit me Olimpiadën Rinore, por edhe për shkak të regresit sistematik të sportit në vend.
“Maqedonia u poshtërua, u turpërua dhe u paraqit si një vend i shekullit të 19-të para syve të publikut sportiv ndërkombëtar dhe ai turp me Olimpiadën Rinore është debakli më i madh në historinë e re sportive të shtetit. Dhe ndërkohë që qeveria më krenare nuk kishte para për akomodim të duhur, ujë, transport, ushqim, kondicionerë dhe kushte dinjitoze për olimpistët, kishte për PR dhe marketing. Do të thotë ka para për PR por jo për kushte bazike për sportistët”, thonë nga LSDM.
Reaguan nga VMRO-DPMNE duke e pyetur opozitën pse po e mbron organizimin e keq të Olimpiadës nga Komiteti Olimpik i Maqedonisë.
“Është vërtetë simptomatike dhe e çuditshme pse LSDM si parti politike nuk ia hedh një sy të vërtetës dhe me devijim e mbron organizimin e dobët të Olimpiadës nga ana e Komitetit Olimpik të Maqedonisë. Çfarë interesash politike ka LSDM në KOM? Gjithçka që u kërkua u mundësua si logjistikë nga Ministria e Sportit. Çdo gjë përtej kësaj të vërtete të vetme është një politizim i turpshëm për pikë të lira politike”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga 20 deri më 26 korrik në Shkup dhe në Kumanovë u mbajt Olimpiada Rinore në të cilën morën pjesë rreth 4 mijë sportistë të rinj nga 49 vende evropiane.