U kapën duke djegur dyshekë dhe tela bakri, arrestohen dy persona në Strugë

Dy persona janë ndaluar nga policia në qytetin e Strugës, pasi janë kapur në flagrancë duke ndezur zjarr në deponinë publike të qytetit – një veprim që ka shkaktuar zjarr të përmasave shqetësuese.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 2 gushtit, rreth orës 20:30, kur shërbimet e zjarrfikësve kanë hasur dy shtetas – një 61-vjeçar nga Struga dhe një 38-vjeçar nga Prilepi – duke djegur dyshekë dhe duke shkrirë tela bakri në mënyrë të paligjshme.

Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar një zjarr në vendgrumbullimin e mbeturinave, ndërsa policia ka ndërhyrë menjëherë duke i privuar nga liria dy të dyshuarit. Ndaj tyre do të ngriten kallëzime përkatëse, pas dokumentimit të plotë të rastit.