Një plagosje me armë zjarri dyshohet se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje në fshatin turistik të Borshit.
Sipas burimeve nga policia, është plagosur një i ri, i cili fatmirësisht është goditur në dorë nga plumbi, duke shmangur pasoja më të rënda që mund të kishin qenë fatale për jetën e tij, raporton euronews.al
Ngjarja ka ndodhur në një lokal ku dy shokë po konsumonin alkool. Sipas hetimeve paraprake, mes tyre ka nisur një debat ndërsa ishin ulur në tavolinë. Njëri prej tyre ka nxjerrë armën e zjarrit, një pistoletë, dhe ka qëlluar drejt shokut të tij.
Menjëherë pas të shtënave, autori është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i plagosuri është transportuar drejt spitalit ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Policia ka reaguar me shpejtësi. Komisariati i Policisë Himarë ka identifikuar autorin në kohë rekord dhe më pas ka bërë të mundur arrestimin e tij.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të policisë në terren, të drejtuara nga shefi i komisariatit, Ferit Merkaj, ngjarja është konsideruar e zbardhur.
Autori është shoqëruar në komisariatin e Himarës, ku ka dhënë edhe dëshminë e tij, duke rrëfyer detaje në lidhje me ngjarjen.