Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar në Kavajë 54-vjeçaren, V.B me qëllim ekstradimin në Spanjë, pasi akuzohet nga autoritetet spanjolle, për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike.
Në njoftim thuhet se si rezultat i bashkëpunimit me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës dhe i shkëmbimit të informacioneve më Interpol Tiranën, u lokalizua dhe u arrestua shtetasja shqiptare V. B., 54 vjeçe, banuese në Golem.
“Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Sabadell, Spanjë, me vendimin e datës 30.06.2025, i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Kultivimi i bimëve narkotike’ dhe ‘Vjedhja e energjisë elektrike’, për të cilat maksimumi i dënimit është 6 vjet”, thuhet në njoftim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, do të kryejë procedurat për ekstradimin e kësaj shtetaseje.