Përshkallëzimi më i keq në 10 vjet – luftimet midis Tajlandës dhe Kamboxhias vazhdojnë në ditën e dytë të konfliktit

Tajlanda dhe Kamboxhia vazhduan edhe të premten shkëmbimin e zjarrit të rëndë të artilerisë, ndërsa përleshjet më të rënda mes tyre në më shumë se dhjetë vjet hynë në ditën e dytë.

Pavarësisht thirrjeve nga rajoni dhe më gjerë që të dyja shtetet të ndalin menjëherë zjarrin, në këtë konflikt kufitar që po përshkallëzohet, kanë humbur jetën të paktën 16 persona.

Ushtria tajlandeze raportoi se përleshjet filluan sot herët në mëngjes në provincat Ubon Ratchathani dhe Surin, dhe se Kamboxhia ka përdorur artileri dhe sisteme raketore BM-21 të prodhimit rus. Autoritetet njoftuan se 100 mijë njerëz janë evakuuar nga zonat e konfliktit në anën tajlandeze.

“Forcat kamboxhiane kryen bombardime të vazhdueshme duke përdorur armë të rënda, artileri të fushës dhe sisteme raketore BM-21”, thuhet në deklaratën e ushtrisë tajlandeze, ku shtohet se është kthyer zjarr në përputhje me situatën taktike.

Të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për nisjen e konfliktit të enjten në një zonë kufitare të diskutueshme, i cili eskaloi shpejt nga armë të lehta në bombardime të rënda në të paktën gjashtë lokacione përgjatë 209 kilometrave të kufirit, ku sovraniteti është i kontestuar prej më shumë se një shekulli.

Gazetarët e Reuters në provincën Surin raportuan se të premten kanë dëgjuar shpërthime të herëpashershme, mes një pranie të madhe të ushtarëve të armatosur tajlandezë përgjatë rrugëve dhe në pikat e karburantit në këtë zonë kryesisht bujqësore.

Numri i të vdekurve në Tajlandë u rrit në 15 deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, nga të cilët 14 janë civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. U raportuan gjithashtu 46 të plagosur, përfshirë 15 ushtarë. Po ashtu, 100 mijë civilë janë evakuuar nga zona kufitare tajlandeze.

Qeveria kombëtare e Kamboxhias nuk dha detaje për viktimat apo evakuimet civile, por zëdhënësi i administratës provinciale të Oddar Meanchey tha se një civil ka vdekur, pesë janë plagosur dhe janë evakuuar 1500 familje.