Ushtria izraelite tha të martën se “ka kapur” një raketë të lëshuar nga Jemeni, një ditë pasi Izraeli kreu sulme ajrore në portin e Hodeidah, të mbajtur nga milicia Houthi.
“Pas sirenave që u dëgjuan pak kohë më parë në disa zona në Izrael, një raketë e lëshuar nga Jemeni u kap nga IAF”, tha ushtria izraelite në një deklaratë të postuar në Telegram, shkruajnë mediat e huaja.
Zonat e kontrolluara nga Houthi në Jemen janë nënshtruar sulmeve të përsëritura izraelite që kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të niste sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, duke deklaruar se ata veprojnë në solidaritet me palestinezët gjatë luftës në Gaza.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, theksoi se sulmet e së hënës shënjestruan “vendet e regjimit terrorist Houthi në portin e Hodeidah” dhe kishin për qëllim të parandalonin çdo përpjekje për të rivendosur infrastrukturën e dëmtuar më parë.
“Fati i Jemenit do të jetë i njëjtë me atë të Teheranit”, shtoi ai.
Një zyrtar i sigurisë së Houthi, duke folur në kushte anonimiteti, i tha AFP se “bombardimi shkatërroi skelën e portit, e cila ishte rindërtuar pas sulmeve të mëparshme”.
Huthët kanë rinisur kohët e fundit sulmet vdekjeprurëse në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke synuar anijet që i akuzojnë për lidhje me Izraelin, në një përpjekje për t’i bërë presion Izraelit që t’i japë fund luftës në Gaza.