“Open Ballkani”, ide e vjetër serbe me mbështetje të re shqiptare

Shkruan: Florian Nesimi

Në intervistën e fundit për Lajm TV, ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ndau një fakt të panjohur deri më tani për opinionin publik: në vitin 1995, gjatë një takimi në Beograd, Sllobodan Millosheviqi i kishte propozuar Presidentit Kiro Gligorov krijimin e një “Unioni Doganor” mes Serbisë dhe Maqedonisë.

Gligorovi, sipas dëshmisë së Pendarovskit, e kishte refuzuar këtë propozim.
Me të dëgjuar termin “Union Doganor”, menjëherë më erdhi ndërmend projekti i “Open Ballkanit”, i cili synonte pikërisht krijimin e një zone të lirë për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve në mes të disa shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Me këtë po dëshmohet se Open Ballkani jo vetëm që ishte një projekt serb, por edhe se rrënjët i kishte që nga koha e shpërbërjes së Jugosllavisë. Politikanë shqiptarë që gjatë viteve 2021-2023 përkrahën këtë nismë serbe, me ose pa vetëdije, u bënë pjesë e tendencave nacionaliste serbe për dominim ekonomik në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Partitë shqiptare që merrnin pjesë në takimet e “Open Ballkanit” duhet të falënderojnë Albin Kurtin i cili me qëndrimin e tij refuzues ndaj kësaj nisme dhe me presionin politik e bindi Edi Ramën se duhet të distancohet nga kjo nismë pro serbe. Kështu Albin Kurti arriti një fitore diplomatike në mbrojtje të interesit kombëtar shqiptar.