Shkon në 170 numri i viktimave shkaku i përmbytjeve në Pakistan, gjysma e tyre janë fëmijë

Përmbytjet e pandalshme kanë marrë jetën e mbi 170 personave në lindje të Pakistanit, rreth gjysma e të cilëve janë fëmijë, në katastrofën më të fundit që nxjerr në pah ndjeshmërinë e vendit ndaj krizës gjithnjë e më të rëndë klimatike.

Të paktën 54 prej vdekjeve kanë ndodhur në 24 orët e fundit, sipas Autoritetit Kombëtar për Menaxhimin e Katastrofave (NDMA), pasi reshjet e dendura përmbytën provincën më të populluar të Punjab-it, duke shembur shtëpi dhe shkatërruar rrugë.

Të paktën 85 fëmijë kanë ndërruar jetë që kur përmbytjet filluan më 26 qershor, njoftoi NDMA.

Organizatat humanitare paralajmërojnë se shqetësimi për fëmijët është në rritje, pasi ata janë veçanërisht të pambrojtur ndaj rrezikut të mbytjes dhe sëmundjeve të rënda që përhapen nga uji i ndotur, shkruan cnn.

Autoritetet bënë të ditur se në disa distrikte të provincës është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, dhe ushtria është vendosur në qytetin e Rawalpindit për të përballuar nivelet e larta të përmbytjeve.

Reshjet e dendura vazhdojnë të godasin Rawalpindin dhe kryeqytetin e afërt Islamabad, me disa zona që regjistruan më shumë se 100 milimetra shi të enjten, sipas Departamentit Meteorologjik të Pakistanit. Më shumë shi pritet edhe të premten.

Shtatë kampe ndihme janë ngritur në të gjithë vendin, duke ofruar ushqim, ujë, ilaçe dhe strehim për të prekurit nga përmbytjet.

Pakistani është në vijën e parë të krizës klimatike të shkaktuar nga njeriu. Ky vend me mbi 230 milionë banorë përballet me dy sisteme të fuqishme moti – një që shkakton vapë dhe thatësira ekstreme dhe një tjetër që sjell reshje të pandalshme.

Pakistani përjetoi përmbytjet më të këqija në historinë e tij në vitin 2022, kur një e treta e vendit u përmbyt nga shirat e rrëmbyeshëm, duke lënë të vdekur më shumë se 1000 njerëz.

Forca e përmbytjes zhduku shumë shtëpi dhe la dhjetëra mijëra njerëz në rrugë pa ushqim apo ujë të pijshëm.