Respektimi i Kornizës Negociuese, përfshirë miratimin e ndryshimeve kushtetuese, mbetet kushti kryesor që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kështu deklaroi Ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjer, para Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).
Siç raporton BGNES, Bjer shtoi se, sapo të përmbushen kushtet, presidenca është gati të caktojë konferencën e ardhshme ndërqeveritare dhe të hapë kapitujt e parë negociues.
Më 1 korrik 2025, Danimarka mori presidencën e radhës të Këshillit të BE-së me prioritetet “Evropë e sigurt” dhe “Evropë konkurruese dhe e gjelbër”. Ndër çështjet kryesore është zgjerimi i BE-së, ku përmendet përparimi me Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, Maqedonia e Veriut nuk përmendet në mënyrë të veçantë si Ukraina dhe Moldavia, çka nuk tregon ndonjë përkushtim të veçantë ndaj saj.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Kujtojmë se me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.