Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që përfshijnë BDI-në dhe të ashtuquajturin “Front të Korrupsionit”. Në një deklaratë të publikuar sot, ai akuzon BDI-në se, në momentet e krizës, përdor metoda të njohura: tenton destabilizimin dhe prodhon anketa të fabrikuara për të manipuluar opinionin publik.
“Kur BDI është keq me shqiptarët, kur Fronti i Korrupsionit përçahet dhe bie në panik, menjëherë aktivizohen dy skenarë: tensionet dhe mashtrimi mediatik. Rasti i arrestimit të funksionarëve të saj për zjarrvënie dhe incidenti i sajuar me Danela Arsovskën janë pjesë e kësaj strategjie të vjetër,” u shpreh Durmishi.
Ai ironizoi edhe për anketat e fundit që, sipas tij, “nxjerrin në epërsi” BDI-në dhe madje pretendojnë se “Ali Ahmeti dhe Arben Taravari kanë më shumë përkrahje se liderët e VLEN-it” – duke e cilësuar këtë si një “tallje me inteligjencën e qytetarëve”.
“VLEN është bindshëm përpara në shumicën e komunave – në disa zona edhe 3 me 1 kundër Frontit të Korrupsionit,” tha Durmishi.
Ai shtoi se e gjithë kjo është pjesë e një plani të Ali Ahmetit për të eliminuar çdo rival të mundshëm. “Pasi e eliminoi Selën, tani është kthyer kah Taravari. Me anketa fallco po mundohet të krijojë përshtypjen se e ka marrë strukturën me vete. Në realitet, ka vetëm një grusht njerëzish – edhe ata për interesa personale,” theksoi ai.
Durmishi sfidoi BDI-në që të publikojë marrëveshjen për ndarjen e komunave, nëse vërtet besojnë në anketat e tyre. “Nuk e bëjnë, sepse e dinë që ajo marrëveshje e ka fundosur këtë front – duke e ulur Taravarin dhe Selën në nivelin e partive të Arjanit Hoxhës dhe Skender Rexhepit.”
Sipas tij, “Ali Ahmeti ua ka ngritur kurthin aleatëve të tij: do t’i lërë pa asnjë komunë në zgjedhje, dhe më pas do ua ngarkojë atyre fajin për dështimin e BDI-së.”