Bimësia e pakontrolluar rrezikon zjarr në zonat e banuara në Gjirokastër

Në zonën e Gjirokastrës si shkak i motit të nxehtë në këto ditë vete janë regjistruar vatra zjarresh në pyje-kullota. Zjarre të tilla janë regjistruar në fshatrat e Cepos, Lunxhërisë.

Sipas strukturave ligjzbatuese zjarret fillimisht janë vendosur për pastrimin e tokave dhe djegien e mbeturinave. Dalja e tyre jashtë kontrollit ka shkaktuar dëme në kullota ndërsa janë rrezikuar edhe banesa.Specialistët e emergjencave apelojnë për bashkëpunimin e banorëve për pastrimin e bimësisë dhe shkurreve në rrethinat e zonave të banuara duke evituar kështu një ndër shkaqet kryesore të zjarreve gjatë verës.

“Bimësia është në rritje, e patrajtuar nga banorët dhe është shkak dhe premisë për zjarre në sipërfaqet e mëdha, të cilat mund të vijnë edhe me pasoja të rënda deri në humbjen e jetës së njerëzve,për këtë qëllim Bashkia Gjirokastër ka angazhuar grupe vullnetarësh,të cilët janë pjesë e atashuar pranë shërbimit zjarrfikës, bëjnë monitorimin në terren të zonave ku nuk ka popullsi dhe këtë e realizon hap pas hapi për problemet që dalin informohet në kohë dhe ndërhyhet në kohë për të eliminuar çdo problematikë”, tha Fatri Brahimi, specialist i emergjencave.

Në planin e masave të hartuar nga strukturat e emergjencave civile rëndësi për parandalimin e zjarrvënieve të qëllimshme i kushtohet bashkëpunimit me strukturat ligjzbatuese.

“Bashkia Gjirokastër ka hartuar plane bashkëpunimi si me forcat informuese ashtu dhe ato të zbatimit të ligjit dhe forcave operacionale, këtu përfshin Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Mbrojtjes, e cila ka një batalion të këmbësorisë në Gjirokastër për ndërhyrje operacionale me kërkesën tonë, vit pas viti është evidentuar dhe janë marrë masa dhe për zjarrvënës të qëllimshëm”, shtoi Brahimi.

Autoritetet vijojnë të apelojnë për vetëdijësim të qytetarëve në lidhje me rrezikun e zjarreve, duke theksuar se parandalimi është mënyra më efektive për të shmangur dëmet në pyje, kullota dhe për të mbrojtur komunitetet lokale nga pasojat potencialisht tragjike. /euronews/