Rrezikohet tenisi, nuk rifillohet as në korrik?

Sot, ATP do të komunikojë për vazhdimin e bllokimit të tenisit, dhe për vendimin që të loja të rikthehet në gusht.

‘Repubblica’ raporton se edhe korriku iku nga kalendari i tenisit. Së shpejti ATP do ta jap njoftimin zyrtar, transmeton lajmi.net.

Pritej që turnetë të rifillonin qysh në mes të korrikut, por një gjë e tillë shihet e pamundur, edhe pse stërvitjet kanë filluar.

Turnetë shihen si shumë më të komplikuara, të cilat përfshijnë edhe spektatorë dhe përballja me këtë është e vështirë.

Problemi kryesor për rifillimin sigurisht mbeten lojtarët dhe udhëtimet e tyre.

Roland Garros/French Open është shtyrë tashmë për shtator siç është bërë e ditur më parë, kurse të gjithë sytë janë kah US Open, i cili planifikohet për fund të gushtit.

Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi zyrtar i ATP, në komunikatën që pritet të lëshohet sot gjatë ditës.