Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
“Fillimisht, ata diskutuan mbi pandeminë COVID-19, gjendjen e shëndetit publik në të dy vendet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në këtë drejtim. Kryeministri në detyrë Kurti dhe Ambasadori Minxhozi e njoftuan njëri-tjetrin mbi efektin e masave të vendosura nga dy qeveritë respektive, mbi numrin e infektimeve dhe shërimeve. Të dy bënë thirrje për kujdesin që duhet kushtuar në vazhdim dhe në vazhdimësi pasi pandemia vijon të jetë aktive”, thuhet në kumtesë, transmeton Klan Kosova.
“Temë tjetër e diskutimit përgjatë takimit ishte bashkëpunimi bilateral ekonomik, rritja e qarkullimit të mallrave dhe prodhimeve, si dhe faktorët që duhet ta nxisin këtë qarkullim. Mbi bashkëpunimin në mes dy vendeve u diskutua edhe në fushën elektro-energjetike, pas pavarësimit elektro-energjetik të Kosovës nga Serbia dhe bashkëngjitjes në Bllokun Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri, si dhe funksionalizimit të interkonjeksionit 400 kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë pas më shumë së 6 vjetëve”.
Të dy janë zotuar për mbështetje të plotë dhe të vazhdueshme ndaj nevojave dhe kërkesave të të dy vendeve.